Analisti serb, Dushan Janjiq ka thënë se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të ngriten në vjeshtë.
Ai ka deklaruar poashtu se në bankën e të akuzuarve do të gjenden njerëzit “me ndikim në jetën politike dhe të sigurisë së Kosovës”.
Analisti nga Beogradi beson se miratimi i Rregullores së Procedurës dhe Provave konfirmon seriozitetin e komunitetit ndërkombëtar për të ndjekur penalisht krimet e luftës në Kosovë, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.
“Gjykata është e fokusuar kryesisht në një raport mbi trafikun e organeve të miratuar nga Këshilli i Evropës dhe gjeti se ka dhjetë vepra të krimeve të luftës. Ajo gjithashtu mori në konsideratë informacionin e ri. Me sa di unë nga rreth 20 lloje të krimeve të luftës do të ndiqen penalisht dhe të hetohen para gjykatës. Hetimet kanë përfunduar në masë të madhe në shumicën e këtyre rasteve “, thotë ai.
Sipas tij, me aktakuzat e para mund të priten edhe turbulenca, veçanërisht në qoftë se “gjykata zgjedh emra të mëdhenj”, transmeton Klan Kosova.
Gjykata Speciale që nga sot është edhe ligjërisht funksionale dhe e gatshme për t’i pranuar aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së.