Jashari kritikon mënyrën e shpërndarjes së teksteve: Viti shkollor do të nisë me telashe

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, ka kundërshtuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke paralajmëruar vështirësi në fillimin e vitit të ri shkollor.

Jashari ka thënë se, duke pasur parasysh se 1 shtatori është afër, procedurat për sigurimin dhe shpërndarjen e teksteve te nxënësit mund të shkaktojnë vonesa.

“SBASHK-u ka kundërshtuar këtë mënyrë të shpërndarjes së teksteve në librari. Kjo tregon se do të kemi një vit shkollor me telashe, sepse jemi afër 1 shtatorit dhe goxha procedurë duhet derisa të pajisen nxënësit me libra”, ka deklaruar Jashari.

Kryetari i SBASHK-ut ka ngritur shqetësimin se një pjesë e nxënësve mund të mos i kenë të gjitha tekstet shkollore në ditët e para të mësimit.

Kjo nuk është hera e parë që SBASHK-u e kundërshton këtë model. Edhe në vitet e kaluara sindikata ka kritikuar sistemin e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve, duke argumentuar se ai ka shkaktuar vonesa dhe ka lënë nxënës pa libra në fillim të vitit shkollor.

Të ngjashme