Jashari: Një pjesë e papërgjegjësisë së Qeverisë vjen shkaku se s’ka mbikëqyrje mbi ekzekutivin

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë në DESKU të KTV-së se një pjesë më e madhe e mungesës se përgjegjësisë nga Qeveria vjen shkaku i mungesës së mbikqyrjes nga Kuvendi.

Këtë e ka thënë teksa është shprehur i shqetësuar rreth dështimit të deputetëve për të vepruar rreth nismave ligjore gjatë pandemisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të jem i sinqertë me ju, një pjesë e madhe e papërgjegjësisë së qeverisë ka lindur me faktin se nuk ka mbikëqyres mbi ekzekutivin”, ka thënë ai.

“Kushtetuesja thotë që nuk ka ligj adekuat në të cilin Qeveria e vendit mund të mbështetet”, ka sqaruar Jashari vendimin e Kushtetueses.

I pyetur rreth faktit që udhëzimi i Kushtetueses nuk u mor parasysh nga deputetet e Kuvendit, Jashari ka thënë se kjo ka qenë “nyja” e gjithë situatës, duke e pasur parasysh që Kushtetuesja kishte dhënë rekomandimet e veta.

“Nuk pati asnjë reagim, kaloi afati ligjor që është në dispozicion”, ka vazhduar Jashari.

Jashari ka thënë se pa u marrë vendimi i dytë, kishte pasur kërkesë të deputetëve për ta dëgjuar Avokatin e Popullit, në kuadër të Komisionit të të Drejtave të Njeriut.

“Unë e adresova këtë shqetësim timin lidhur me këtë moszbatim të Gjykatës Kushtetuese, duke pasur parasysh se paraqet burim të së drejtës”, ka thënë ai.

Jashari ka përmendur si alternativë të dytë rekomandimin e Këshillit të Evropës, të titulluar “sundimi i së drejtës në kohë pandemie”.

“Ky është opsioni i dytë që kishte Kuvendi në dispozicion”, ka thënë ai.

Jashari ka theksuar se Kuvendi shërben si lloj kontrollori i të gjitha veprimeve. Ka rikujtuar se Kuvendi nuk ka reaguar as rreth këtij opsioni të dytë.

Jashari në DESKU ka folur edhe për gjendjen e të drejtave të njeriut. Ka përmbledhur veprimtarinë e Avokatit të Popullit.

“Ne për çdo vit dorëzojmë një raport vjetor që është përmbledhje për gjendjen e të drejtave të njeriut. Ky raport që dorëzohet në Kuvend e përshkruan situatën e përgjithshme, synon që të nxisë debat dhe të ndërmerren masa ndaj ekzekutivit, apo autoriteteve që nuk kanë përfillur rekomandimet”, ka thënë Jashari.

I pyetur rreth përgjigjes nga Kuvendi rreth raporteve të, ai ka folur për herën kur e kishte dorëzuar raportin e parë.

“Në momentin kur e dorëzuam, m’u tha që sipas rregullores Avokati i Popullit ka në dispozicion pesë minuta për t’ua adresuar deputetëve shqetësimet e tij”, ka treguar Jashari, duke sqaruar se raporti kishte pasur mbi 200 faqe.

Ai ka treguar se ishte befasuar “për të mirë”, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth reagimit të deputetëve.

Jashari ka precizuar se për çdo vit kalendarik, për 31 mars, prezantohet ky raport.

Ai ka thënë se fusha e të drejtave të njeriut përbën një “segment tejet kompleks” dhe se Avokati i Popullit ka bërë një kategorizim të fushave: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

“Nëse flasim për legjislativ, ne vazhdimisht kemi pasur vërejtje se si janë miratuar ligjet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Jashari, duke iu referuar plotësim-ndryshimit të ligjeve dhe duke thënë se një gjë e tillë bie ndesh me praktikat ndërkombëtare.

Sa i përket ekzekutivit, Jashari ka thënë se Qeveria pjesën më të madhe është karakterizuar me “mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut”.

“Nuk është çështje vetëm deklarimi se është shkelur e drejta e njeriut, përderisa nuk bëhet kompenzimi i dëmeve”, ka thënë Avokati i Popullit.

Nga ana tjetër, Jashari ka thënë se për shkak të kushteve ekonomike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka qenë “e mbingarkuar”.

“E te gjyqësori, është evidente se dy probleme më të mëdhaja kanë qenë zvarritja e procedurave gjyqësore dhe mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, ka thënë Avokati i Popullit, duke thënë se në këto dy komponente ka pasur probleme më të mëdhaja. I pyetur se a ka reagim prej institucioneve rreth këtyre çështjeve të ngritura, Jashari është përgjigjur me “jo”.

Sa i përket masave të Qeverisë gjatë pandemisë, Jashari ka folur për problemin kryesor, që ka pasur të bëjë me mungesën e bazës ligjore adekuate.

“Vlerësuam gjithë situatën dhe dërguam opinionin tonë për Gjykatën Kushtetuese, për t’iu ndihmuar gjyqtarëve në vendimmarrje”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se Kushtetutesja e dha qëndrimin e vet rreth situatës, duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë, me sugjerim që të nxjerret ligji “që ka qenë çështja kryesore gjatë gjithë procesit”. Ai e ka shpjeguar vendimin e Kushtetueses.

Të ngjashme