Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, ka deklaruar se gjatë inspektimeve në sektorin e ndërtimit nuk janë mbyllur kompani, por janë ndaluar përkohësisht punimet në rastet kur nuk janë respektuar kushtet e sigurisë në punë, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se veprimet e inspektoratit kanë për qëllim rritjen e sigurisë për punëtorët dhe jo ndëshkimin e bizneseve.
“Në fakt, ne s’kemi mbyllur asnjë kompani ndërtuese. Ne kemi ndaluar punimet në mungesë të respektimit të kushteve të sigurisë në punë. Domethënë, është nga rreth 320 inspektime dhe ri-inspektime, numri total i kantierëve ndërtimorë ku janë vendosur shenja e plumbuzës ose shiritit është rreth 106. Janë rreth 27 ose 30 që janë ri-hapur, sepse i kanë plotësuar kushtet e sigurisë në punë. Domethënë kjo është krejt çështja që ne po e bëjmë. Domethënë ne në fakt nuk mbyllim kompani, por ne korrigjojmë, bashkëpunojmë me qëllim që qytetari, jeta e tij të jetë në qendër të vëmendjes sepse ky është mandati jonë. Unë besoj që edhe sepse nuk është korrekt mbase që të themi vetëm kompani ndërtimore, po flasim edhe për subjekte të tjera, po kësaj radhe kryesisht është në profilin me rrezikshmëri të lartë sepse statistikat zyrtare e nxjerrin këtë situatë. Dhe mbi bazën e kësaj ne veprojmë.
Përndryshe, ne kemi pasë bashkëpunim të vazhdueshëm, komunikim korrekt, kemi pasë edhe takim me shoqatat e ndërtimtarëve para disa ditëve në Ministri bashkë me Ministrin dhe po e kryejmë punën tonë”, tha ai.
I pyetur për mangësitë e konstatuara gjatë inspektimeve në kompanitë ndërtimore, Jashari tha se detajet teknike janë kompetencë e inspektorëve në terren.
“Ato janë detaje të cilat i takojnë inspektorëve, por ne si kornizë ligjore domethënë e kemi nxjerrë një plan veprimi që janë produkt i legjislacionit në fuqi, ku inspektorët nxjerrin në procesverbalin e tyre vendimet, detajet teknike të plotësimit ose mos-plotësimit të kushteve. Pra ato i takojnë inspektorëve dhe jo mua si kryeinspektor. Unë nuk e përjashtoj që ka pasur raste të tilla sepse këto janë edhe publike, por po them prapë këto janë detaje që mund t’i shihni, që janë me kërkesën tuaj, janë të qasshme. Secili dokumentacion, secili vendim për ndalim punimesh që është në Inspektoratin Qendror të Punës, por disa janë në proces deri në epilogun final të çështjes“, theksoi ai.
Sa i përket kapaciteteve të inspektoratit në terren, Jashari tha se aktualisht janë të mjaftueshme për aksionin në zhvillim, por pranoi se nevojiten më shumë inspektorë për të mbuluar të gjithë mandatin ligjor.
“Kemi absolutisht mjaftueshëm për këtë aksion dhe ne kemi thënë që jemi në 90% të kapaciteteve tona që po e zbatojmë këtë aksion. Inspektorati Qendror i Punës marrë në tërësi mandatin e tij ligjor që mbulon ligje specifike dhe disa dispozita ligjore të ligjeve për mbikëqyrjen dhe implementimin e tyre, nuk ka mjaftueshëm.
Por jemi në proces, të besoj në një kohë sa më të shkurtër, në një të ardhme të afërt, të shpallet konkursi edhe për një numër rreth 40 ose 50 inspektorë për ta plotësuar në tërësi mandatin ligjor. Nuk do të thotë që s’po e zbatojmë tani, por natyrisht kërkon pak kohë sepse kur koncentrohesh në një profil tjetër, do më shumë kohë që të trajtohen çështjet e tjera. Por po, tani për tani në terren kemi mjaftueshëm, absolutisht inspektorë“, shtoi Jashari.
