Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka organizuar konferencën me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të punojmë më shumë për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me qenie njerëzore. Ai shtoi se duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket Kosovës, parandalimi i këtij lloj krimi specifik duhet të ndodh me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi. Duhet t’i identifikojmë dhe ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Kapaciteti ynë veprues dhe ekspertiza jonë duhet të avancohen në përputhje me kapacitetin që janë bartës të këtij krimi”, është shprehur Haradinaj.
“Ata në raste të caktuara janë të sofistikuar, kanë lidhje rajonale e ndërkombëtare dhe ekspertiza jonë duhet të avancojë. Njëkohësisht, që të mund të trajtohet me efikasitet, duhet të vendoset një bashkëpunim profesional në të gjitha institucionet e përfshira, por edhe akterët tjerë, organizatat joqeveritare dhe të gjithë mekanizmat që e trajtojnë këtë temë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Bashkëpunimi rajonal me vendet fqinje dhe poashtu bashkëpunimi me BE-në, në përputhje me konventat e dakorduara që sot ekzistojnë, sipas kryeministrit, kanë një rëndësi të veçantë.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se çdo lloj i krimit, e ushqen një lloj tjetër të krimit dhe, siç tha, kjo nuk është diçka e re për t’u ditur.
“Nëse ka pasur tolerancë të caktuar në një lloj të caktuar të krimit, atëherë ndihmohen reciprokisht, shërbehen reciprokisht. Trafikimi me qenie njerëzore mund të jetë bazë edhe për lloje tjera të krimit, që janë rrezik i civilizimit sot”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tregoi për projektin i cili është duke u implementuar që nga fillimi i këtij viti dhe si i tillë është duke u munduar që të ndihmojë Kosovën në trajtimin e duhur të kësaj çështje.
Ajo tha se për luftimin e këtij krimi BE ka dhënë 1 milion euro, raporton EO.
“Trafikimi me njerëz është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriu. Parandalimi dhe luftimi i trafikimit me njerëz është top prioriteti i BE-së. BE gjithashtu dëshiron të ndihmojë Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz duke ndarë përvojat. Që nga fillimi i këtij viti BE po financon një projekt për këtë çështje në vlerë prej afro 1 milion eurosh. Nuk duhet të harrojmë se luftimi i trafikimit me njerëz duhet të jetë i përbashkët”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se institucionet në Kosovë nuk do të lejojnë në përhapjen e kësaj dukurie.
“Trafikimi është një çështje komplekse duhet të merremi të gjithë nuk duhet të lejojmë përhapjen e saj duhet të luftojmë dhe ta parandalojmë”.
Lidhur me trajtimin e viktimave obligim të rëndësishëm ka edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenien Sociale. Ministri Skender Reçica, tha se trafikimi me qenie njerëzore duhet të çrrënjoset.
“Kjo pasojë e rëndë e një sëmundje shoqërore duhet të çrrënjoset dhe ne duhet të punojmë bashkë dhe ti mbrojmë viktimat. Sa i përket mbrojtjes së viktimave ministrisë sonë i del obligim i rëndësishëm dhe jemi këtu për të thënë se do të kemi prioritet çështjet që do të ndikojnë në mbrojtjen e viktimave”.
Gjatë ditës në shënim të kësaj ditë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, (MAShT), Shyqiri Bytyqi do të marrë pjesë në hapjen e fushatës së Muajit Antitrafikim.
Ceremonia e fillimit të fushatës në shkolla mbahet në ambientet e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Muaji Antitrafikim shënohet për çdo vit në Kosovë, ndërsa këtë vit fillon në Ditën Ndërkombëtare të BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, pra më 18 tetor dhe zgjatë deri më 18 nëntor 2017.