Jiemenez më në fund ka gjetur ritmin në Evropë

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Një këngë mund të dëgjohet më tepër se çdo tjetër nga tifozët e Wolverhampton Wanderersit, derisa do të kthehen në stadiumin “Wembley” këtë fundjavë për paraqitjen e parë të skuadrës në gjysmëfinale të FA Cup të Anglisë në 21 vjet.

“Po zotëri, paso topin te Rauli dhe ai do të shënojë”, janë vargjet e këngës.

Për sulmuesin meksikan Raul Jimenez, stinori i tij i parë në futbollin anglez po del më i madhi në karrierën e tij dhe mund të thuhet se asnjë lojtar në elitën angleze nuk është më i rëndësishëm për klubin e vet se që është Jimenez për Wolvesin, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

Që kur iu bashkua Wolvesit në formë huazimi nga Benfica në verën e vitit 2018, Jimenez ka qenë i përfshirë direkt në 48 për qind të golave të Wolverhamptonit në Premier League, duke shënuar 12 gola dhe asistuar shtatë të tjerë. Sipas furnizuesit me të dhëna Opta, është përqindja më e madhe e një lojtari për një klub në Premier League.

Nuk ka qenë befasi që Wolverhamptoni të enjten ka përdorur opsionin për të transferuar plotësisht sulmuesin 27-vjeçar. U njoftua se është paguar shifër rekorde për klubin prej 30 milionë funtesh (35 milionë euro) dhe është një motivim perfekt para ndeshjes më të rëndësishme të stinorit për skuadrën, atë të së dielës kundër Watfordit.

Jimenez, lojtari më i shtrenjtë meksikan në histori, shkoi në Angli me shumë gjëra për të dëshmuar, pasi kishte statistika jo të mira të golave në Evropë, që kur u largua nga Club America e Meksikës në vitin 2014.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme