Johnson kaloi natën në intensiv, merr mbështetje nga liderët botërorë

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Boris Johnson e ka kaluar natën në kujdes intensiv në një spital qendror në Londër pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua nga koronavirusi.

Downing Street tha se ai ishte transferuar me këshillën e ekipit të tij mjekësor dhe po merrte “kujdes të shkëlqyeshëm”.

Johnson i ka kërkuar sekretarit të Jashtëm Dominic Raab ta përfaqësojë “aty ku është e nevojshme”, shtoi një zëdhënës.

Kryeministri, 55 vjeç u pranua në spital me “simptoma të vazhdueshme” të dielën në mbrëmje.

Ndërkaq, Mbretëresha po mbahet e informuar për shëndetin e Johnson, sipas Buckingham Palace.

Drejtuesit botërorë – përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron – kanë shprehur mbështetjen e tyre për Johnson.

Trump tha se amerikanët “po luten të gjithë për shërimin e tij”. Ai e përshkroi Johnson si “një mik shumë të mirë timin dhe një mik të kombit tonë” i cili është “i fortë” dhe “nuk heq dorë”.

Macron tha se Boris Johnson ka mbështetjen e tij dhe të familjes së tij dhe popullit britanik në këtë moment të vështirë.

Korrespondenti politik i BBC, Chris Mason, tha se kryeministrit iu dha oksigjeni pasditen e së hënës, përpara se të shkojë në kujdes intensiv.

Ai u zhvendos në intensiv si një masë paraprake në mënyrë që të mund të ishte afër një ventilatori – për procesin e frymëmarrjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme