Juventusi insiston për Donnarumman, gjithashtu po mendon ta “blindojë” Dybalan

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Gigio Donnarumma është i lidhur me kontratë me Milanin deri më 30 qershor 2021.

Edhe 18 muaj dhe klubi kuqezi mund t’i ndiejë shpatullat zbuluar. Lidhja shpirtërore mes portierit 20-vjeçar dhe klubit kuqezi nuk është vënë kurrë në diskutim, vetë Gigio në disa raste ka treguar prova, por pasiguria për të ardhmen edhe në aspektin ekonomik, nuk e përjashtojnë një ndarje të mundshme.

Drejtuesit e “Djallit” e kanë hapur temën e rinovimit me menaxherin, por Mino Raiola ka kërkuar kohë, i shtyrë edhe nga fakti që klienti i tij kërkohet nga klubet e mëdha europiane.

Mbi të gjithë, qëndron Juventusi, që është gati të bëjë një propozim shumë tërheqës: 9 milionë euro në sezon (aktualisht Donnarumma merr 6 milionë), por me mundësinë e rishikimit në të ardhmen, kuptohet për rritje.

Juventusi po punon edhe për rinovimin e Szczesny-t (edhe polakut i skadon kontrata në vitin 2021), por ka në mendje të hidhet fuqishëm në merkato për Donnarumman. Me objektiv rinovimin e organikës me elementë të rinj në moshë.

Klubi bardhezi ka marrëdhënie shumë të mira me Raiolan, mjafton të kujtojmë transferimin e De Ligt verën e kaluar. Paratici mësohet se ka hequr dorë nga Pogba, i destinuar për t’iu bashkuar Realit, kështu që e gjithë vëmendja me Raiolan do të shkojë për blerjen e portierit të Milanit.

Ndërkohë, në shtëpinë bardhezi po punojnë edhe për rinovimin e kontratës së Paulo Dybalas, i cili pas një vere turbulluese (ishte me një këmbë jashtë Juves), ia doli që me punë dhe dedikim të rifitonte qetësinë dhe vlerësimet maksimale në klub. Argjentinasit i skadon kontrata në vitin 2022.

Palët kanë nisur të diskutojnë për ta zgjatur marrëveshjen deri në vitin 2024 dhe me rritje të pagës aktuale (7.5 milionë në vit).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme