Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 10 vjetëve dhe sipas mediave italian, Igor Tudor do ta zëvendësojë Andrea Pirlon në postin e trajnerit nga kjo javë.
Ish-mesfushori italian, i cili e zëvendësoi Maurizio Sarrin në verë, përjetoi shumë vështirësi në sezonin e tij të parë si trajner në Torino.
Milani i siguroi tri pikë të rëndësishme në Allianz Stadium të dielën dhe Pirlo është trajneri i parë në historinë e Juventusit që humb 3:0 në shtëpi në sezonin e njëjtë në Serie A.
Gazeta La Stampa raporton se e ardhmja e Pirlos është e vendosur tashmë dhe nëse ai nuk shkarkohet para se të përfundojë sezoni, atëherë do ta humbasë punën në fund të sezonin gjithsesi.
Ndihmësi i tij Igor Tudor mund ta drejtojë skuadrën të mërkurën kundër Sassuolos në Reggio Emilia.
Kjo humbje nënkupton se bardhezinjtë e Pirlos bien në vendin e pestë në tabelën e Serie A me 69 pikë nga 35 ndeshje, një më pak se Napoli në vendin e katërt dhe tri më pak se Milani në vendin e tretë.