Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të dalë nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.
Ish-anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka nxitur LDK’në që të distancohet nga klani “Pronto”, i cili, sipas saj, drejtohet nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Ajo ka sqaruar në Interaktiv të KTV’së se nuk ka kritikuar LDK’në dhe AAK’në si parti, mirëpo ka kritikuar mosveprimin e këtyre dy partive kundër klanit “Pronto”.
“Ne në konferencë kemi kritikuar mosveprimin e LDK-së dhe AAK-së. Nuk kemi kritikuar qenësinë e këtyre subjekteve, por kemi kritikuar mosveprimin.
Kemi kërkuar që LDK-ja të distancohet duke dalë nga qeveria. Sepse në koalicion ata po ja zgjatin jetën klanit Pronto. Klani printo të shkojë në shtëpi dhe të ç’kapet shteti”, ka thënë Kadaj-Bujupi, transmeton koha.net.
Ajo për AAK’në ka thënë se ka një tërheqje nga kundërshtimi i këtij klani. Për këtë i ka përmendur kundërshtimin e protestave dhe deklaratat e disa zyrtarëve të ish-partisë së saj.
“AAK ka një heshtje për bashkëpunim. Kemi thënë që mosveprimi ngrit dyshime dhe rikonfirmon se pikërisht në kohën kur ne e kemi arritur kulmin si opozitë e bashkuar, këto dy subjekte [AAK dhe Nisma] kanë lëshuar betejën duke dalë jashtë parlamentit dhe duke u shprehur kundër gazit edhe pse kanë qenë pjesë e këtyre veprimeve.
Ata dolën në deklarata se nuk kanë vija të kuqe për koalicion me askënd. Që nënkupton edhe me PDK-në, dhe derisa ka këso deklarata, atëherë çfarë është në pyetje.
Në këto momente konsiderojmë se problemi kyç është klani Pronto me të cilin duhet të distancohet LDK-ja dhe po ashtu bëmë ftesë që Aleanca t’i rikthehet veprimeve që të mos ia zgjatë jetën klanit Pronto për mosveprim”, ka thënë veç të tjerash Kadaj-Bujupi.