Kadri Veseli pro Gjykatës Speciale, godet opozitën por edhe partnerët e koalicionit

Prishtinë | 08 Jan 2018 | 09:55 | Nga

Kadri Veseli, në një shkrim të gjatë, ka qartësuar pozicionin e tij karshi Gjykatës Speciale.

E titulluar “Mbi dramën e Gjykatës Speciale”, kryetari i Kuvendit thotë se ka kohë që e ka shkruar tekstin, por ka pritur derisa të kalojnë festat. Veseli ka goditur pak edhe opozitën e partnerët e koalicionit.

Lexojeni të plotë shkrimin e Veselit dërguar medieve:

MBI DRAMËN E GJYKATËS SPECIALE

Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj! Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë. Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të bëjmë krejt çka është e mundur që dëmtimi i shtetit të jetë sa më i vogël. Nuk është fare çështje fati individual. Çështje është dëmtimi i padrejtë nga doktrina e barazimit moral të palëve të përfshira në luftë.

Drama

Ky shkrim është bërë gati për botim disa ditë para festave të fund vitit që shkoi. Arsyeja pse publikimi u la pas festave ka të bëjë me faktin që ditët festive të qytetarëve të mos ngarkohen edhe më shumë më temat e rënda të politikës kosovare. Edhe ashtu, duhet pranuar, politika në Kosovë, me inatet, mllefin dhe energjinë negative të aktorëve të ndryshëm të saj, është bërë barrë e rëndë për jetën e qytetarëve tanë.

Dita e 22 Dhjetorit ishte një ditë dramatike. Dramacitetit të saj, padyshim, i kontribuuam të gjithë, ne që jemi në politikë dhe të tjerët që flasin e shkruajnë për politikën nga pikëvështrime dhe interesa të ndryshme të ditës.

Iniciativa e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e një gjykate kontraverse, nxiti reagime shpërthyese në qarqe politike dhe ato të spekulimit të lirë medial.

Përveç disa shqetësimeve të karakterit pragmatik, asaj nate nuk i mungoi edhe aktrimi politik dhe shfaqjet e mllefit e të revanshizmit tipik ballkanik.

Si rrallë herë, forcat politike morën pozicionime të qarta brenda dramës që po ndodhte.

LDK-ja, tradicionalisht apatike, atë natë ishte hiperaktive. Dukej hapur se donte të shfrytëzonte momentumin e “qëndrimit të fortë” kundër, të ndërkombëtarëve ndaj iniciativës, për t’u dhënë goditje “armiqve të vjetër të kohës së luftës”, të cilët po tentonin “të ndalnin” Gjykatën Speciale. Natyrisht, në prapavijë të këtij qëndrimi të LDK-së, nuk gjendej asgjë tjetër, veç idesë se goditja e kundërshtarëve të saj nënkupton avantazh për rikthimin në pushtet. Gjithçka tjetër ishte thjeshtë cinizëm dhe retorikë boshe, përfshirë edhe atë për zgjidhjen e rasteve të rënda të krimeve politike ( ende të pa cilësuara kështu nga ndonjë verdikt gjykate).

Në anën tjetër, partia Vetëvendosje, aq shumë e vetëshpallur si revolucionare dhe e padëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve, atë natë dha shembullin e një dëgjueshmërie ekstreme. Një kërcim i madh revolucionar nga “idealizmi i pakompromis” në oportunizëm brutal. Kuptohet, për një arsye të vetme: Gjykata Speciale si mundësi për të ardhur në pushtet.

Këto qëndrime të opozitës, si dhe alarmi për fundin e botës nga individë të politizuar brenda shoqërisë civile e mediave, treguan qartë se kush jemi e çfarë jemi për njëri-tjetrin!!!

Për më tepër, zhvillimi i befasishëm i ngjarjes atë natë, dëshmoi një të vërtetë të pathënë deri atëherë se entuziazmi për Gjykatën Speciale nuk ishte vetëm kërkesë dhe dëshirë e jashtme. Fatkeqësisht, ishte edhe kërkesë e brendshme e luftës politike për pushtet dhe revanshit inatçor!

22 Dhjetori si mësim

Nata e 22 Dhjetorit ishte e pazakontë.

Edhe pse e kaluar tanimë, ajo duhet të mbetet mësim për të gjithë ne!

Së pari iniciuesit, kur e menduan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duhet ta kishin menduar më mirë, pra edhe reaksionin kundër!

Ata, në dështimin e tyre, treguan se nuk ishin të përgatitur dhe serioz për ta shtyrë përpara iniciativën e tyre. Do të thotë se nuk ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësi!

Një gjë na e ka mësuar jeta: kur fillon diçka, duhet të marrësh përgjegjësi e kjo nuk bëhet duke i ikur asaj.

LDK-ja në anën tjetër duhet ta kuptojë se mundja e kundërshtarëve politikë, përmes gjykatave, nuk është rruga e duhur drejt pushtetit.

Nevoja e ndriçimit të krimeve kundër veprimtarëve te LDK-së, si dhe krimeve tjera të kryera në Kosovë, ende të pazbuluara, është domosdoshmëri dhe interes nacional. Nuk është vetëm i LDK-së, por i gjithë Kosovës!

E kam thënë në Kuvend dhe po e përsëris: PDK-ja do t’i jap përkrahje çdo veprimi, iniciative apo kërkese për t’i shkuar deri në fund këtij qëllimi, por trajtimi i tyre si kapital partiak për të marrë e mbajtur pushtet, do të mbetet një nga segmentet më të rënda të imoralitetit politik në Kosovën e pasluftës.

Për më tepër, LDK-ja, hiç një mandat, gjithë kohën pas 1999, ka qenë në pushtet në Kosovë dhe nuk ka bërë asnjë hap konkret për ndriçimin e këtyre vrasjeve dhe vendosjen e drejtësisë.

Në anën tjetër, partia Vetëvendosje, duhet ta kuptoj se ka edhe truqe në politikë, por kjo nuk do të thotë se krejt politika është mashtrim. Rebelizmi i tyre politik, do të duhej t’i shërbente forcimit të shtetit, e jo shkatërrimit të tij, siç e kemi parë deri me tani.

Natën e 22 Dhjetorit, kjo parti, frikshëm, ka dëshmuar se sa manipuluese dhe joparimore është në qëndrimet e veta politike! Në ditët e fundit falsiteti i retorikës parimore të tyre është bërë kryetemë e mediave.

Për partnerët perëndimorë

Partnerët tanë perëndimorë janë pjesë pozitive e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetbërjes sonë.

Orientimi ynë perëndimor është i plotë dhe pakushte. Ky orientim nuk është vetëm përcaktim gjeostrategjik. Është identitet kombëtar gjithashtu, prandaj nuk ka nevojë që të testohemi në këtë drejtim dhe në fragjilitetin aktual të ekzistencës sonë shtetërore.

Nuk mund të trajtohet Kosova si shtet pa shtet, e as vonesat në përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk mund të shndërrohen në gjendje të përhershme.

Jonormaliteti i shndërruar në normalitet, është formulë e paqëndrueshmërisë dhe ushqim për tensione të vjetra.

Kosova ka nevojë për përkrahje dhe mirëkuptim, në mënyrë që nga gjendja aktuale e vendnumërimit- të ecim përpara, e jo t’u japim shpresa forcave të errëta që duan ta kthejnë pas historinë dhe ta zhysin përsëri Ballkanin në paqartësi dhe jostabilitet.

Kosova i ka problemet e saj reale, por ekzagjerimi i tyre për të arsyetuar izolimin e saj është i papranueshëm. Politika e standardeve të dyfishta është e pajustifikueshme. Ajo nuk i ndihmon askujt që dëshiron ta shoh Ballkanin pjesë integrale të strukturave euro-atlantike.

Për Gjykatën Speciale

Më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj! Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë!

Qëndrimi im ndaj saj mbetet ai që e kam thënë në Kuvend tash e dy vite më parë. Nuk kemi mundur ta ndalnim as atëherë. 22 Dhjetori vetëm e dëshmoi këtë! Por, krejt çfarë ne mundemi, është të mos jemi aq entuziastë e naiv në pritshmëri joreale dhe të mos ushqejmë shpresa hakmarrëse.

Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të bëjmë krejt çka është e mundur që dëmtimi i shtetit të jetë sa më i vogël. Nuk është fare çështje fati individual. Çështje është dëmtimi i padrejtë nga doktrina e barazimit moral të palëve të përfshira në luftë.

Në këtë kontekst, bashkëluftëtarëve të mi, u them që të vazhdojnë të jenë të qetë dhe dinjitoz, siç kanë qenë gjithmonë. Të jemi krenarë, jo vetëm me luftën që kemi bërë dhe suksesin që kemi arritur, por të mundohemi të bëjmë edhe më shumë për shtetin e Kosovës.

Askush nuk do të mund të na turpëroj për luftën që kemi bërë, e më së paku Gjykata Speciale. Këtë mund ta bëjnë vetëm egot personale për përfitime apo librezat e rrejshme të veteranëve.

Për fund

Nga gjithë këto histori negativiteti, ne duhet të nxjerrim diçka pozitive në fund. Qartësisht, ne po i afrohemi një momenti që mund ta quajmë fillimi i fundit të manipulimeve të mëdha në Kosovë.

Është paguar dhe po paguhet goxha çmim për gjithë këtë. Sfida imediate që kemi përpara është kjo: A mundemi të dalim nga qarku vicioz i këtyre viteve të fundit?

Gjithsesi se po!

Është koha për t’i bërë ndryshe gjërat.

Së pari, opinioni, qytetarët dhe shoqëria jonë në përgjithësi, kanë nevojë që ne si klasë politike të defaktorizojmë inatin si motor të mendimit e veprimit politik.

Nuk mund të ecim tutje të dominuar nga psikologjia e emocioneve negative të inateve personale, mllefit, urrejtjes dhe qasjes përjashtuese. Ka ikur njëherë e përgjithmonë koha e individëve që duan të bëhen heronj duke treguar se kush janë tradhtarët.

Së dyti, duhet përfundimisht të gjejmë gjuhën e përbashkët të konsensusit nacional për kursin që do të marrë vendi, për përmbylljen e shtetformimit, për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, ndërmarrjen e një vettingu gjithëpërfshirës për zyrtarët e lartë të shtetit dhe hapjen e perspektivës ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Se bashku mund të nisim një agjendë pozitive dhe zhvillimore për vendin tonë. Është e domosdoshme ta bëjmë.

E gjithë historia e popullit tonë është e mbushur me dëshmi që na tregojnë se në kohë momentesh të vështira janë lënë anash inatet për t’i dhënë rast bashkimit.

Sot është momenti të dëshmojmë, më fuqishëm se kurrë, se jemi përfaqësues të denjë të këtij populli krenar.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme