Time Kadrijaj, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për bllokim të qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit, Kadrijaj tha se Vetëvendosje dhe Kurti pranojnë vetëm ato vendime që iu pëlqejnë, ndërsa i injorojnë ato që nuk iu konvenojnë, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Po e shihni qëllimin e bllokadës, qëllimet e Kurtit dhe VV-së për të penguar konstituimin e Kuvendit. Ne kemi dhënë alternativë, kemi propozuar një kandidat nga radhët e VV-së – deputetin Kurti – dhe nuk e kuptoj pse prapë na kërkohet të propozojmë. Kemi treguar gatishmëri për zgjidhje, kemi respektuar Kushtetutën, ndryshe nga Kurti dhe partia e tij”, tha Kadrijaj.
Ajo shtoi se “nuk është hera e parë që Kurti dhe VV nuk respektojnë Kushtetutën”, duke i quajtur madje ligjet e sjella nga kjo qeveri si antikushtetuese.
Në fund të deklaratës së saj, Kadrijaj tha se ngjarjet e fundit janë të turpshme dhe e identifikoi kryeministrin si simbol të këtij turpi.
“Turpi në këtë rast e ka emrin Albin Kurti. Si është e mundur që evakuohen deputetët e VV-së me gjithë kabinetin në objektin e Qeverisë, ndërsa ne si deputetë të ish-opozitës detyrohemi të shkojmë në kafene për të pritur fillimin e seancës?”, pyeti Kadrijaj.