Kajtazi: Diasporës nuk i duhen lëvdata, por hapësirë për investime

Prishtinë | 25 Shk 2017 | 09:04 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Driton Kajtazi, drejtori i Institutit për Studime Shqiptare në Zvicër ka vlerësuar se diaspora kosovare nuk ka nevojë për lëvdata e fjalë patriotike, por t’i jepet hapësirë për të investuar në Kosovë.

Ai në një intervistë për EkonomiaOnline ka theksuar se bashkëpunimi ekonomik i diasporës me Kosovën është vetëm në mënyrë sporadike, duke thënë se ka ndonjë investim individual.

“Institucionet tona mund të punojnë me një qasje profesionale. Me fjalime patriotike të cilat të them të drejtën nuk rregullohen këto gjana dhe nuk ka nevojë për lëvdata, dhe mendoj që janë veprimet konkrete ato që e ndryshojnë gjendjen”.

“Nuk kam shumë njohuri për bashkëpunim ekonomik, por ajo që quhet bashkëpunim i mirëfilltë ekonomik akoma nuk ekziston, ekziston në mënyrë sporadike, individuale, mirëpo jo atë që ne e quajmë platformë apo institucionale”, ka theksuar Kajtazi.

Ai ka theksuar se 90 për qind e remitencave shkojnë në konsum dhe se me këtë ritëm nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik dhe investim të mirëfilltë.

Kajtazi ka theksuar se bashkatdhetarët kanë interesim për të investuar, mirëpo sipas tij, diaspora shihet vetëm për sjellje të parave e jo të ideve për investim.

“Më së shumti kamë vërejtur në nismat e pronarëve të firmave shqiptare në Zvicër sikur ata kanë përshtypjen që diaspora shihet vetëm për sjellje të parave, por jo edhe të ideve. Shpesh gjatë bisedave ata tregojnë se iu është thënë atyre: ju na i sillni paratë, ne i kemi idetë. Meqë ata kanë pasur ide për të bërë para në Zvicër, kanë ide edhe në Kosovë, do të thotë të mos reduktohen ata vetëm në para, por edhe në ide”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për shkollat shqipe në Zvicër, të cilat sipas tij, nuk ndiqen nga nxënësit shqiptarë.

“Prania e nxënësve nuk është aspak e kënaqshme, nuk e tejkalon pothuajse askund 10 përqindëshin. Do të thotë 90 për qind e tyre nuk shkojnë fare në këto shkolla”, ka thënë Kajtazi, duke theksuar se në këtë aspekt roli i Universitetit të Prishtinës do të ishte shumë më i madh, “jo vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit”.

Gjithashtu ai ka folur edhe për punën e institutit që ai drejton në Zvicër.

INTERVISTA E PLOTË

EO: Cili është qëllimi i Instituti të Studimeve Shqiptare në Zvicër?

Kajtazi: Instituti i Studimeve Shqiptare në Zvicër është krijuar në vitin 2008. Është njohur nga konfederata si institucion me vlerë publike pa qëllime fitimprurëse, është i vetmi institucion në Zvicër jo vetëm nga shqiptarët por edhe të huajt. Qëllimi i institutit është krijimi i urave të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës fillimisht pastaj edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe integrimi i shqiptarëve në Zvicër. Interesimin më të madh e kemi me institucionet zvicerane dhe ndërkombëtare që janë në Zvicër, tek e fundit ne ata i kemi shënjestër, sepse ne në mes vete e njohim realitetin. I kemi 200 organizata ndërkombëtare mes Gjenevës dhe Villnovës, të cilat i kemi shënjestër, i kemi autoritetet zvicerane dhe nuk është medoemos publiku jonë shënjestra jonë.

EO: A ka Kosova bashkëpunim ekonomik me bashkatdhetarët që janë atje?

Kajtazi: Nuk kam shumë njohuri për bashkëpunim ekonomik, por ajo që quhet bashkëpunim i mirëfilltë ekonomik akoma nuk ekziston. Ekziston në mënyrë sporadike, individuale, mirëpo jo atë që ne e quajmë platformë apo institucionale.

EO: A ka vullnet të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të integrohen në Zvicër.

Kajtazi: Ka vullnet, sidomos pas shpalljes së pavarësisë kemi përshtypjen se prindërit janë kthyer rreth shkollimit të fëmijëve të tyre. Është një fazë e re megjithatë, nuk është akoma e kënaqshme por fillimi është shumë i mirë.

EO:A kanë institucionet e Kosovës ndonjë plan se ka duhet t’i orientojnë remitancat e bashkatdhetarëve , por edhe vet bashkatdhetarët që ti integroj për të dhënë kontribut në vendin e tyre?

Kajtazi: Synime ka, qëllime ka, ka edhe nisma, edhe veprime aty këtu, por megjithatë vet institucionet janë të vetëdijshme që akoma nuk e kanë arritur këtë, do të thotë vet institucionet e Kosovës e thonë këtë. Nuk ka investim të mirëfilltë, kur të tejkalohet 90 për qind të remitencave vetëm për konsum, nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik.

EO: E dimë që ka shumë shqiptarë jashtë vendit që i zhvillojnë aktivitetet e tyre afariste atje, a ka interesim që këto investime të sjellën edhe në vendin tonë?

Kajtazi: Bashkatdhetarët kanë interesim, mirëpo ajo që më së shumti kam vërejtur në nismat e pronarëve të firmave shqiptare në Zvicër sikur ata kanë përshtypjen që diaspora shihet vetëm për sjellje të parave, por jo edhe të ideve. Shpesh gjatë bisedave ata tregojnë se iu është thënë atyre: ju na i sillni paratë, ne i kemi idetë. Meqë ata kanë pasur ide për të bërë para në Zvicër, kanë ide edhe në Kosovë, do të thotë të mos reduktohen ata vetëm në para por edhe në ide.

EO: Tashmë ekzistojnë edhe shkollat shqipe në diasporë,cili është roli i UP-s, a jep kontribut ky institucion për këto shkolla?

Kajtazi: Shkollat kanë funksionuar edhe më herët, prania e nxënësve nuk është aspak e kënaqshme, nuk e tejkalon pothuajse askund 10 përqindëshin, do të thotë 90 për qind e tyre nuk shkojnë fare në këto shkolla. Para se të flas për fëmijët unë megjithatë e konsideroj që roli i Universitetit të Prishtinës do të ishte shumë më i madh, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Më shumë bëhen studime brenda javës për komunitetin shqiptar prej studentëve dhe nxënësve, qoftë shqiptar qoftë zviceran në Zvicër, se sa Universiteti i Prishtinës për komunitetin e vet brenda vitit. Është e jashtëzakonshme që sa pak bëhen studime në kuadër të UP-së. Këto pyetje do të duhet të ia shtronim edhe profesorëve të universitetit, dekanatit, ne mund të flasim atë që duamë, por në UP me dhjetëra-mijëra student bëhen më pak studime për një vit, sesa bëhen për një javë brenda Zvicrës.

EO: Pse mendon se duhet bërë më shumë studime?

Kajtazi: Ne nuk mund të flasim për përmirësim të situatës kur nuk është bërë studimi se përse kjo situatë ekziston, pra rolin e reflekseve e ka politika, por rolin e refleksionit e ka universiteti.

EO: Sipas njohurive ose takimeve që keni me bashkatdhetarët, çka mendoni se i pengon ata për të ardhur në Kosovë dhe me zhvillu aktivitete si ekonomike, politike apo sociale.

Kajtazi: Pra një nga pengesat për mos investime është kur një person reduktohet në para, mos t’i stërmadhojmë, sepse nuk kemi edhe aq potencial njerëzor saqë të mendohet se diaspora mund të ndryshojë rrjedhjen e ngjarjeve në Kosovë, por mund të jap një kontribut. Ajo që shpesh e kam thanë edhe e them edhe sot meqë më dhatë mundësinë të shprehem është se nëse rilindja kombëtare ka ndodhë në diasporë, atëherë edhe rritja kombëtare bëhet me diasporën, nëse diaspora ka qenë aksionare e lirisë dhe pavarësisë, atëherë le të bëhet edhe aksionare e ekonomisë, le t’i jepet hapësirë veprimit dhe mundësisë të një komuniteti, i cili në një formë apo tjetër është i lidhur me këtë vend.

EO: A mendon se institucionet tona po e anashkalojnë diasporën apo po e lënë të shkëputur nga pjesëmarrja e tyre .

Kajtazi: Nuk po them se institucionet tona e shkëpusin diasporën, por mund të them që institucionet tona mund të punojnë me një qasje profesionale. Me fjalimet patriotike të cilat të them të drejtën nuk rregullohen këto gjëra, dhe nuk ka nevojë për lëvdata, dhe mendoj që janë veprimet konkrete ato që e ndryshojnë gjendjen.

Të ngjashme