Kalkulimet e Fejzullah Hasanit, ja përfitimet pas dorëheqjes

Prishtinë | 24 Jan 2017 | 23:08 | Nga

Pasi iu miratua dorëheqja, Fejzullah Hasani do ta marrë 70 për qind të rrogës dhe do të ketë një varg përfitimesh të tjera.

Gati shtatë vjet pasi ishte zgjedhur në krye të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasanit iu miratua dorëheqja e paraqitur në Këshillin Gjyqësor të Kosovës si gjyqtar i Gjykatës Supreme ku shërbeu nga viti 2003.

Në një prononcim për KALLXO.com, Hasani tha se tani do t’i përkushtohet arsimit e mësimdhënies në fakultet.

Megjithatë, Hasani tani 56 vjeçar do t’i gëzojë benefitet që i jep Ligji për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë i vitit 2008 dhe plotësim- ndryshimi i këtij ligji i vitit 2011.

Sipas këtij ligji, kryetari i Gjykatës Supreme pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar dhe dorëheqjes si gjyqtar i kësaj gjykate, do të realizojë pagë mujore prej 70 për qind të pagës aktuale mujore prej 1440 eurove bruto.

Përpos pagës, kryetari i Gjykatës Supreme, do të ketë të drejtë edhe për staf mbështetës.

“Institucioni përgjegjës i siguron ish-funksionarit të lartë një asistent të lartë, vozitësin dhe një truprojë,” thuhet në pikën 3.4 të nenit 3 të Ligjit për Përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë.

Përfitimet e çdo ish-zyrtari nuk mbarojnë me kaq.

Çdo ish-zyrtar i lartë përpos përfitimeve të lartpërmendura, ka të drejtën e një hapësire të përshtatshme zyreje të mobiluar dhe të pajisur si dhe do t’i mbulohen shpenzimet e komunikimit-telefoni e interneti e që nuk duhet të kalojnë shumën prej 1200 eurove në vit.

Në vitin 2010 në Agjencinë Kundër Korrupsion Fejzullah Hasani deklaroi pasuri në vlerën e 49 mijë eurove. Gjashtë vjet më vonë pasuria e tij u rrit për 177 mijë euro. Në vitin 2016 Hasani deklaroi pasuri prej 226 mijë eurove.

Fejzullah Hasani karrierën e tij në Gjykatën Supreme të Kosovës e filloi në vitin 2003 si gjyqtar në këtë gjykatë.

Në vitin 2009 ishte zëvendëskryetar, ndërsa nga 16 shkurti 2010 ishte në pozitën e kryetarit të kësaj gjykate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme