Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale pranë Gjykatës Speciale në Hagë po vazhdon tash e më shumë 3 orë.
Gjatë ditës së djeshme, Thaçi është intervistuar për plot gjashtë orë, ndërsa sot kanë kaluar 3 orë prej kur ai ka hyrë në Dhomat e Specializuara për intervistim.
Pas intervistimit të djeshëm, presidenti Thaçi ka folur për mediet duke thënë se ka avokati i tij dhe prokurorët kanë shkëmbyer teknikalitete, shkruan lajmi.net.
Dje, për ta pritur Thaçin para Prokurorisë Speciale kishin dalur një grup bashkëatdhetarësh që jetojnë në diasporë, ndërsa vet presidenti para se të hynte në intervistim u deklarua se është aty për të mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur.
“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”, u shpreh Thaçi para gazetarëve gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë, intervistimi i sotëm i Thaçit po vazhdon ende dhe nuk dihet nëse do të deklarohet për medie pas përfundimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.