“Kam me ta nxjerr shpirtin”, i dëmtuari thotë se shoku dhe një tjetër e rrëmbyen dhe e keqtrajtuan në një motel në Stanovc

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë me aktakuzën e 14 marsit 2022 i ngarkon të akuzuarit A.H dhe A.M., se më 14 dhjetor 2021, në fshatin Stanovc, saktësisht në ambientet e motelit “Hill”, sipas marrëveshjes paraprake në mes veti e mashtrojnë të dëmtuarin Y.K, duke e dërguar në një lokacion dhe duke ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj tij.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri A. e fton të dëmtuarin për të shkuar ne moteli hyjnë në dhomën nr.9, e kanos me fjalët se “kam me ta nxjerr shpirtin derisa të pranosh se ke pasur marrëdhënie seksuale me …”.

Më pas vjen edhe i akuzuari A. ku të dy fillojnë të ushtrojnë dhunë psikike dhe fizike duke e rrahur të dëmtuarin, ashtu që i pandehuri A. me shkop druri e godet në pjesën e poshtme te këmbëve, e me pas që të dy e godasin me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, me qëllim të detyrimit që i dëmtuari Y. ta pranojë një fakt që fare nuk ka ndodhur, kinse ka pasur marrëdhënie seksuale me dashnoren e të pandehurit A.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të pandehurit kanë vazhduar duke e maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Y., e më pas i pandehuri A. e kanos me fjalët “kam me të dërguar në Shqipëri o qen se më ke pre në besë deri sa te mi sjellësh 50.000€”.

I dëmtuari Y.K. ka deklaruar se me të akuzuarin e parë, A.H. kishin qenë shokë të ngushtë, ndërsa shtoi se asnjëherë nuk do të besonte se i njëjti do ta rrëmbente dhe sulmonte për shkak të një gënjeshtre të një femre.

Këtë deklarim i dëmtuari-dëshmitari Y.K. e ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor ndaj A.H. dhe A.M. të akuzuar për veprën penale të rrëmbimit, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

I dëmtuari-dëshmitari K. deklaroi se në mbrëmjen e asaj nate kishte shkuar në lokalin e të akuzuarit të parë, pasi i njëjti e kishte thirrur, ndërsa nga aty i njëjti i kishte thënë të shkojnë në motelin “Villa Hill”.

“Kur jena shku në motel ma ka pagu një dhomë tjetër të ndame, e pas disa minutave më ka thirr hajde në dhomë se i kemi do shoqe, po kur jom shku në dhomë e kom pa që nuk është situata në rregull edhe kur kom tentu me thirr një shok në telefon A ma ka marrë telefonin edhe ma boni më ke pre në besë”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari K.

Ai shtoi se pas këtyre momenteve kishte mbërritur edhe i akuzuari i dytë, A.M, i cili e kishte goditur katër herë në pjesën e këmbëve me shkop.

K. deklaroi se i akuzuari i dytë kishte qëndruar vetëm rreth 20 minuta në dhomë pasi që ishte larguar kur kishte kuptuar se i akuzuari H. po e sulmonte të njëjtin për shkak të një femre.

“Unë e kom ndëgju A. kur ka fol në telefon me A, i ka thon hajde në këtë vend se e gjeta edhe spiunin e dytë që na i ka vendosë çipat në telefona”, shtoi i dëmtuari-dëshmitari.

Ai shtoi se i akuzuari H. kishte dyshuar në të dëmtuarin se i njëjti i ka vendosur çipa në telefona, por i njëjti mohoi të ketë bërë diçka të tillë.

Gjatë kohës sa ishte sulmuar, i dëmtuari K. deklaroi se ishte incizuar me telefonin e tij nga i akuzuari i parë, duke e detyruar të pohojë se kishte pasur marrëdhënie intime me të dashurën e të akuzuarit H.

“Unë e kom mohu një gjë të tillë se nuk është e vërtetë, por për shkak të dhunës jom detyru me pranu, veç për më shpëtu”, tha i dëmtuari.

Ai shtoi se të nesërmen në mesditë kishte ardhur pronari i motelit pasi kishte dëgjuar zhurmën e dhunës së ushtruar nga i akuzuari i parë ndaj të dëmtuarit dhe i kishte detyruar të dalin jashtë.

Tutje ai deklaroi se kishte shkuar në spital ku kishte qëndruar disa orë, e pas kësaj e kishte thirrur të akuzuarin H. që të takoheshin në hotelin “Ura e Gurit” ku edhe ishte arrestuar i njëjti, pasi që i dëmtuari K. e ka njoftuar policinë dhe ua ka dorëzuar video incizimet e rrahjes.

I akuzuari K. deklaroi se kishte qenë përdorues i drogës, ndërsa natën kritike para sulmit në motel kishin konsumuar alkool dhe kokainë së bashku me të akuzuarin e parë dhe dy persona të tjerë.

“Unë po mendoj që dikush e ka shty A. për me bo kto, qëllimi mendoj që u kon për përfitim pasuror, se e kom ndëgju duke fol në telefon me dikënd për me më qu në Shqipëri edhe me më marrë para”, deklaroi i dëmtuari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit A.H., avokatit Shyqyri Syla, se sa kishte zgjatur rrahja, i dëmtuari deklaroi se përmbi dhjetë orë kishin qëndruar në dhomën e motelit, ndërsa rrahja kishte zgjatur rreth pesë orë, derisa kishte ardhur pronari i motelit.

“Shyqyr Zotit nuk kom pas armë me vetë se jom i sigurt se e kisha vra”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari K.

I dëmtuari deklaroi se kur kishte shkuar në Stacionin Policor në Vushtrri hetuesja kishte qenë e njohur e të akuzuarit të parë dhe ia kishte fshirë incizimin në telefon, që i dëmtuari ia kishte dorëzuar si provë, ndërsa shtoi se edhe një zyrtar tjetër policor po ashtu i njohur i të akuzuarit e kishte lutur që të mos e denoncojë të akuzuarin H.

Tutje, me marrjen në pyetje të të dëmtuarit-dëshmitarit Y.K., vijoi mbrojtja e të akuzuarit të dytë, A.M.

I dëmtuari deklaroi se të njëjtin e kishte njohur vetëm si figurë pasi kishte punuar sigurim në lokalin e të akuzuarit H., ndërsa tha se me të njëjtin nuk kishte pasur asnjëherë probleme.

Ai shtoi se i akuzuari M. kishte qëndruar rreth 15-20 minuta brenda, ndërsa ishte larguar në momentin kur i ka kuptuar arsyet e ulëta të sulmit.

Për shkak të angazhimeve të anëtarëve të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor u shty për datën 15 qershor 2022, ku priten të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria.

Ndërsa, mbrojtësit e dy të akuzuarve i propozuan gjykatës që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të mbrojturve të tyre për shkak të pushimit të arsyeve ligjore për caktimin e kësaj mase.

Të njëjtët i propozuan gjykatës që ndaj të mbrojturve të tyre të caktojë një ndër masat alternative të sigurimit të të pandehurve në procedurë, të parapara me nenin 173 të KPPK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme