Kamenicë: Mblidhet shtabi Emergjent diskuton për masat për parandalimin e Coronavirusit

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Stacioni Policor në Kamenicë, Policia Kufitare dhe FSK-ja, do të ofrojnë mbështetje të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Coronavirus.

Kjo u tha në takimet e  Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe Shtabin Komunal Emergjent, në lidhje me ecurinë e veprimeve për parandalimin e virusit Covid-19.

Pjesëmarrës në këto takime ishin të gjithë anëtarët e KKSB dhe të taskforcës.

Gjatë takimeve u tha se Stacioni Policor në Kamenicë, Policia Kufitare dhe FSK-ja, do të ofroj mbështetje të plotë për menaxhimin e kësaj situate.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati tha se deri më sot nuk ka asnjë rast të dyshuar me COVID-19 në Kamenicë, dhe se janë marrë të gjitha masat për parandaliminin e këtij virusi.

“Tashmë kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ajo çfarë na mbetet, është që secili prej jush të kujdeset për veten dhe të evitoni daljet pa nevojë”, shtoi Kastrati.

Ndërkaq, komandanti i Policisë në Kamenicë, Florim Klaiqi tha se janë duke u zbatuar të gjitha vendimet e përcaktuara nga institucionet e sigurisë.

“Stacioni Policor në Kamenicë është duke vepruar në bashkërendim edhe me institucionet komunale. Të gjitha vendimet që janë përcaktuar për institucionet e sigurisë, jemi duke i zbatuar në përpikëri”, tha ai.

Gjithashtu gjatë takimeve raportuan për gjendjen aktuale edhe Kryesuesi i Taskforcës, Ramadan Basha dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi.

Rri n’shpi! Kujdesu për shëndetin tënd dhe të gjithë qytetarëve!

Të ngjashme