Kamikazët sulmojnë tri kisha në Indonezi, 11 të vdekur deri më tani

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 10:14 | Nga

Bombardues vetëvrasës që dyshohet se i përkisnin ISIS-it, kanë vrarë së paku 11 persona dhe kanë plagosur 40 të tjerë në sulme ndaj të krishterëve që po merrnin pjesë në shërbimet e mëngjesit të së dielës në tri kisha në qytetin e dytë më të madh të Indonezisë, Surabaya.

Zëdhënësi i policisë së Javas Lindore, Frans Barung Mangera, ka thënë se shpërthimet ndodhën në tri kisha dhe se së paku 11 kanë vdekur dhe 40 janë dërguar në spital.

Ai u bëri thirrje njerëzve të jenë të qetë. “Në të gjitha vendet ku mund të mblidhet publiku janë shtrënguar masat e sigurisë”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Më herët, ai i ka thënë Reutersit se një mjet i pashpërthyer është gjetur në një vend dhe është “siguruar”.

Pamjet televizive kanë shfaqur një kishë oborri i së cilës ishte mbuluar nga flakët. Një shpërthim i madh u dëgjua disa orë pas sulmit, për të cilin Mangera tha se kishte qenë shpërthim i kontrolluar nga ekipi për deminime.

Deri tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e atentateve me bomba, por autoritetet indoneziane mendojnë se janë vepër e grupit të frymëzuar nga ISIS-i, Jemaah Ansharut Daulah.

Sulmet kanë ndodhur në orët e para të ditës së diel.

Indonezia, që është vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, kohëve të fundit ka parë një ringjallje të militantisë së brendshme të frymëzuar pjesërisht nga Shteti Islamik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme