Blerja e substancave narkotike u bë sebep që një 28-vjeçar në Vushtrri, që po kërkohej nga Policia tash e një kohë, të bie më në fund në pranga.
Burimet e Sinjali bëjnë të ditur se ai u arrestua mbrëmë në rrugën ‘Pandeli Sotiri’ në Vushtrri, pasi u kap duke blerë drogë nga një 21-vjeçar. Dy të dyshuarit u kapën në flagrancë nga një patrullë e Policisë, të cilët kanë vërejtur 21-vjeçarin duke i dhënë substancë narkotike 28-vjeçarit.
Njësitet policore kanë arrestuar menjëherë dy të dyshuarit, të cilët i kanë shoqëruar në stacion për intervistim, ku gjatë verifikimit të të dyshuarve, 28-vjeçari ka rezultuar se është në kërkim me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi i njëjti ishte i dënuar me burgim.
Ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.