Kasëm Trebeshinën e lexova pas vdekjes. Dhe…

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 18:20 | Nga Mustafa Nano

Nuk di pse nuk kisha marrë mundimin asnjëherë të lexoja një libër të Kasëm Trebeshinës. Ai ishte një personazh i mistershëm, kishte rreth (edhe pse jo fizikisht) një numër adhuruesish, të cilët krijuan një si kult të tijin, jetoi si një oshënar gjithë kohën, shprehte përbuzje për elitën sunduese të vendit, konsiderohej prej shumë njerëzve një disident, e megjithatë, unë nuk pata ndonjë cytje a kërshëri për ta lexuar. Kjo kërshëri më kapi pas lajmit të vdekjes së tij. E dini se ç’bëra të nesërmen? Shkova e bleva “Këngën Shqiptare” në pesë vëllime, dhe librin autobiografik “Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara)”. Doja t’ia blija të gjithë veprën, por “prit, merre shtruar”, i thashë vetes, “merr një shije të parë, pasi librat këtu janë”. U ktheva në shtëpi, i lashë të gjitha punët e tjera, dhe u shtrova të lexoja Trebeshinën. Fillova me librin autobiografik, ngaqë doja të merrja vesh se kush ishte Kasëm Trebeshina.

***

Gjëja që të mbetet në mendje pasi lexon autobiografinë e Kasëm Trebeshinës është së pari, që ajo është e shkruar keq (edhe emra dosido, jo shkrimtarë, kanë mundur të shkruajnë autobiografi më të mira në gjuhën shqipe), dhe së dyti, që ajo është e mbushur me vetëpëlqimin e Trebeshinës. Është deri në nivele bezdisëse ky vetëpëlqim.

Por dëshmitë që sillen aty nuk kemi pse t’i vëmë në diskutim. Jo të gjitha, kuptohet. Sepse ka ndonjë dëshmi që nuk ta mbush mendjen. Lidhur me Promemorjen e famshme të vitit 1953, fjala vjen, të duhet pak mundim që ta besosh. Ajo është, sipas meje, e shkruar nga Trebeshina, gjë që duket nga stili. Por për kohën se kur është shkruar, nuk kemi pse ta vëmë dorën në zjarr. Sepse mund të jetë shkruar në çdo kohë. Pastaj, ka më shumë se një arsye për të dyshuar te pretendimi i Trebeshinës se ia ka shkruar këtë letër Enver Hoxhës. Së pari, ajo letër nuk gjendet nëpër arkiva. Regjimi i Enver Hoxhës, sado e pakuptueshme të duket, është sjellë me shumë kujdes e respekt me arkivat. U kanë mbijetuar atyre kohëve edhe dokumente që e komprometojnë diktaturën e diktatorin. Pse të mos ruanin edhe këtë letër? Së dyti, letra, e njohur tanimë me emrin Promemorje, është e shkruar me një ton arrogant e ex cathedra. Lëre pastaj që është e shkruar me një gjuhë të ashpër, denoncuese e poshtëruese ndaj Enver Hoxhës. Mirëpo ta bëje këtë në vitin 1953, e në të njëjtën kohë të mbeteshe gjallë, duket si një mrekulli. Dhe dihet, gjatë atij regjimi veç mrekulli që nuk ndodhnin.

Por pavarësisht asaj që thuhet në autobiografi, e dyshimeve që mund të kemi rreth tyre, të vjen të besosh se ai njeri nuk ka bërë kompromise. Ose le të themi, që kompromiset kanë qenë minimale, sa për t’i dhënë mundësinë vetes të mbante frymën gjallë e të shkruante. Dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme për një shoqëri si kjo e jona, ku njerëzit e kompromiseve janë soji më i rëndomtë. E gjithë historia e Shqipërisë, edhe ajo e fismja, është një histori e njerëzve të kompromiseve, për rrjedhojë, e njerëzve pa ideale. E prandaj, Kasëm Trebeshina shkëlqen me eshtrën e tij morale. Ah, e vetmja rrëshqitje që ka bërë ka qenë një elegji për Stalinin, por kjo ka ndodhur në vitin 1953, kur ai ishte ende i bindur se Stalini ishte një udhëheqës i mirë, s’ka gjë se ishte komunist. Këtë shpjegim jep ai vetë, të paktën. Dhe unë vetë jam i prirur ta besoj.

Të vjen të besosh, gjithashtu, që ai ka qenë një trim kokëshkretë. Ishte trim edhe për një kredo morale, edhe për një bindje, si të thuash, ideologjike. Me fjalë të tjera, ishte trim edhe përballë dikujt, me të cilin ndahej moralisht, edhe përpara dikujt që ishte armiku i tij, fjala vjen pushtuesit. Por – kjo gjë më duket më e rëndësishme – kishte një disponim të egër brenda karakterit të vet, që e bënte të papërmbajtshëm e të pamëshirshëm. Në një moment tregon se si gjatë Luftës, për t’u vetëmbrojtur, e vret një “tradhtar të kauzës”. “U ktheva dhe e qëllova në mes të ballit; e çarmatosa, pastaj e flaka të vdekur në tokë. ‘Varrose atë’, i thashë prerë lundërtarit, dhe shkova në fshat”. Vini re: është hera e parë që vret dikë. Dhe nuk ndalet në këtë pikë për të na folur mbi ndonjë efekt psiko-mental që ajo ngjarje pati mbi të. Lë të kuptohet se nuk ka patur ndonjë efekt të tillë. Të jep përshtypjen se mezi ka pritur të vinte momenti, në të cilin ai do të vriste. Të njëjtën ftohtësi dëshmon edhe në një rast tjetër, kur vret dy ballistë njëri pas tjetrit. “I vrava, ranë top të vdekur”, thotë pa e parë fare të udhës të bëjë ndonjë koment shtesë. Ose në rastin kur ky vetë dha urdhër të pushkatohej një farë Jani Milo nga Himara. “Urdhërova vajzat që ta ekzekutonin tradhtarin”, shkruan. Vajzat! Do ishte më mirë të na e fshihte këtë faktin e fundit.

Ka qenë kulturalisht i vjetruar. I kapërcyer nga kohët. Që të jem më i saktë, ka qenë ai vetë që nuk ka mundur t’i kapë kohët. Dhe mendërisht mbeti atje, në fshatin e prindërve të tij, në Vinokash të Përmetit. Si autor librash gruan e sublimon në rolin e saj si zonjë shtëpie, por si njeri del se ka qenë patriarkal e mizogjin. Sa ishte i ri, letrat e dashurisë që i mbërrinin herë pas here, i griste të gjitha. Historitë e dashurisë mes partizanëve, gjatë Luftës II, ia sillnin zorrët te goja. Çupave partizane që i vardiseshin në mënyrë të ndrojtur, as që ua hidhte sytë. Janë tronditëse këto fakte, apo jo? E megjithatë, është ai vetë që i rrëfen, me krenari, i sigurt se me këtë vë në piedestal një Kasëm të adhurueshëm. Mirëpo, vetëm i adhurueshëm nuk mund të quhet. Teksa lexoja jetëshkrimin e tij, i gjithi më është dukur si një gjë e nxjerrë me përdhunë nga arkivat a nga muzetë. Nuk mund të më dukej ndryshe një njeri që ka shkruar gjithë atë autobiografi, dhe nuk ia përmend emrin gruas qoftë edhe njëherë të vetme. Flet për të, i referohet në 2-3 raste, por e bën sikur të ketë qenë fjala për një hije. Dhe në këtë pikë mua më ka kapur në befasi. Mua vetëm kaq do më mjaftonte që Trebeshinën të mos e llogarisja si banor të panteonit të kulturës shqiptare.

***

Ky ka qenë Kasemi njeri. Gjithnjë, sipas shënimeve që ka lënë ai vetë. Për Kasëmin shkrimtar nuk ka ndonjë gjë të madhe për të thënë. Për mua ishte një zhgënjim. E lexova “Këngën Shqiptare”, që është një sagë e jetës shqiptare para e gjatë Luftës II, dhe nuk gjeta letërsinë që unë dua. Që të jem i sinqertë, nuk gjeta letërsi. Këngën shqiptare mund ta lexojë edhe një njeri që s’ka lexuar kurrë letërsi. Sepse është një rrëfim linear, që mund të lexohet me po atë lehtësi që lexohet një përrallë, apo një skicë. Dhe unë e kuptoj këtë. Ai ishte shkrimtar i bërë vetë, pa ndihmën e shkollës, të mësuesve, të mentorëve, të leximeve, të qarqeve kulturore. Trebeshina na bën me dije se autorët e parë e të fundit shqiptarë i ka lexuar kur ka qenë fëmijë, 8-9 vjeç (!!!!). “Erdhi vëllai me pushime dhe solli në shtëpi ‘Lulet e verës’ të Naim Frashërit, ‘Baba Tomorrin’ e Çajupit, dhe ‘Vraninën’ e Fishtës, dhe ky ishte kontakti i parë dhe i fundit që unë pata me letërsinë shqipe”. Këtë e thotë ai, e zeza mbi të bardhë. Nëse do ta besonim, atëherë i bie që më pas ka lexuar vetëm autorë të huaj të përkthyer në shqip. Dhe ndonjë gjë tek-tuk në gjuhë të huaj, ndonëse në autobiografinë e vet nuk na thotë se ç’gjuhë të huaj njihte. Si zor të ketë zotëruar ndonjë gjuhë të huaj në atë masë sa të mund të lexonte letërsi të arrirë. Nga mënyra se si shkruan, nuk të besohet se ka njohur ndonjë gjuhë të huaj.

Stili i tij lë aq shumë për të dëshiruar, sa ndonjëherë, teksa je duke e lexuar, të bëhet se je duke ndjekur një ligjërim bisedimor. Ajo shqipja vernakulare e Skrapar-Përmetit (“Gjithë ajo erë që kishte frytur mbrëmë, shi do të delte”, “dualën grarija”, “fëmija po rriteshin”, “do të kishnje hakë të zemëroheshe” etj. etj)., sido që shumë e lezetshme, sidomos për mua, e përforcon këtë ide. Në planin e teknikave narrative, letërsia e tij mbetet një belbëzim letrar. Sa herë që ai rreket ta stërhollojë stilin e tij, ai nuk bën gjë tjetër, veçse e banalizon atë stil edhe ca më shumë, gjë që duket te fraza të llojit: “Për mua fshati është fshat, me tiparet fshatarake të fshatit e të fshatarësisë; se fshati po qe nuk fshat, nuk mund të jetë as fshat, dhe fshati pa fshat është si fshati pa fshat” (Kënga Shqiptare, botimi Globus R., vëllimi 1, f. 135), ose “muaji shkurt sikur donte t’i ngjante marsit dhe të takohej me prillin se e kishte marrë malli ngaqë nuk ishin takuar kurrë” (Kënga Shqiptare, botimi Globus R., vëllimi 2, f. 230) etj. etj.

Ai nuk kishte respekt për formën e për ndërlikimet stilistike. Vepra e tij letrare është një monument i thjeshtësisë artistike. “Unë kam mësuar shumë, e papërtuar, nga Testamenti i Vjetër”, thotë ai, dhe me Testament të Vjetër nuk ka parasysh Biblën. Jo, ka parasysh mësuesin Popull. Dhe po aty ia bën: “Nuk më duhen stilet e përdredhura të rraketakeve”. Siç mund të merret me mend, kjo urrejtje për stilin, dhe për formën në përgjithësi, nuk buron prej besimit në ndonjë shkollë letrare, apo rrymë kulturore, të veçantë. As prej zgjedhjes së tij për të refuzuar shkolla të tjera “rrakatakesh”. Ai “rrakataket” nuk është se i refuzonte, ngaqë i përbuzte. Në fakt, i përbuzte, ngaqë nuk i arrinte dot. Trebeshina me stilin ishte si dhelpra me rrushin. Dhelpra nuk është se nuk e donte rrushin. Thjesht nuk mbërrinte dot deri atje.

Sigurisht, ai nuk ka qenë nga ata që “kërkonin patkonj e gozhdë që të mbatheshin” (kjo është një shprehje e përdorur prej tij për të përkufizuar ata që shërbimin e kishin zanat), dhe kjo gjë e nxjerr nën një dritë shumë të mirë në histori. Kjo është dega e fortë, dhe e vetme, ku mund të rrijë varur nderi i tij. Në veprën e tij nuk vihet re ai ngurtësimi ideologjik që shquan veprat e realizmit socialist. E megjithatë, vepra e tij vuan prej një ngurtësimi tjetër, që buron prej papërsosmërive të tija letrare e limiteve të tij kulturore. Ai kishte një vizion të ngushtë mbi botën. Thënë ndryshe, ishte i burgosur i kësaj bote të ngushtë. S’ke ç’i bën, ky është fati i rëndomtë i mendjeve të vogla. Dhe në fakt, ai ishte një mendje e vogël. Por një karakter i fortë. Në këtë kuptim, historia duhet ta regjistrojë si disident, jo si shkrimtar. Sipas meje, ata që e kanë trajtuar deri më sot si shkrimtar, ose janë viktima të një keqkuptimi, ose (në rastin më të pafajshëm) e kanë bërë prej empatisë. Dhe të bësh gjëra të gabuara prej empatisë, nuk është ndonjë mëkat kushedi se çfarë.

Kasëm Trebeshina, siç thashë më sipër, vetëpëlqehej si shkrimtar. Nuk ka pasur asnjë shqiptar që ta ketë çmuar Trebeshinën më shumë sesa e ka çmuar ai vetë. Vetëpëlqehej aq sa s’e kish për gjë të shihte, a krijonte, edhe realitete alternative, deri edhe situata të ngjashme me “revelacione”. I ishte mbushur mendja që do bëhej shkrimtar qysh kur ishte 11 vjeç, kur në dhomën e errët të shtëpisë iu bë se i hyri dikush, “një burrë i gjatë, me mjekër, serioz, i veshur me rrobë të mëndafshtë të gjelbër, në jeshil fare të çelur, me një çallmë në kokë, një çallmë në ngjyrën e rrobave, e me opinga në ngjyrë portokalli, që i shkoi pranë shtratit dhe i tha rëndë: ‘Ti duhet të shkruash’. Kasëmi i thotë se “nuk dinte të shkruante”, dhe mysafiri i natës, a engjëlli furacak, i thotë të shkruante ca vargje: ‘Rrëzë kodre shkon një vijë/me uj’ të kulluar/Pranë bregut një fëmijë/po loz i gëzuar…’. Pasi i diktoi vargjet, e i tha se “ai duhet të shkruante, duhej ta vazhdonte këtë punë”, fantazma u zhduk në errësirë, nëpër natë, siç kishte ardhur. Këtë “revelacion” na fton që ta marrim, pa na e thënë, si një paralele me fabulën e Muhametit që, gjithashtu, në errësirën e një shpelle, pati një serendipity me engjëllin Gabriel. Dihet që pas këtij takimi, bota fitoi profetin Muhamet. Ndërsa pas takimit qiellor të Kasëm Trebeshinës, Shqipëria, ndoshta bota, fitoi një shkrimtar të jashtëzakonshëm. Mirëpo nuk është kështu. Letërsia e tij – kjo është e vërteta – nuk u ngjit asnjëherë mbi nivelin e atyre vargjeve, që atij ia diktoi në dhomën e errët ai burri i gjatë mjekrosh, e që ia vlen t’i citosh: “Rrëzë kodre shkon një vijë/me uj’ të kulluar/Pranë bregut një fëmijë/po loz i gëzuar…”  (Mapo)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme