Katër herë Kosova e pa Thaçin pas transferimit në Hagë, vizitat mes dhimbjes dhe lamtumirës

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Katër herë për pesë vjet e dhjetë muaj në Hagë, u lejua të vijë në vendin për lirinë e të cilit luftoi.

Ish-presidenti Hashim Thaçi realizoi këto vizita të llojit humanitar gjatë këtyre viteve në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

E katërta e këtij lloji ishte më 21 mars 2025.

Udhëheqësi politik i UÇK-së erdhi atë ditë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit babait të tij, Haxhi Thaçit, 4 ditë pas varrimit. 

Vetëm 15 minuta i kishte për takimin, për të vazhduar me përcjellje te shtëpia ku u takua me nënën. Kjo iu mundësua vetëm me kushtin që brenda objektit të mos shfaqej asnjë njeri i paautorizuar.

Ndërkohë ia sollën edhe gruan. E motra për të cilën pati leje ta shoh të premten, nuk arriti. Ajo dhe vëllezërit, e gjithë personat tjerë me të cilët ia lejojnë të shkëmbejë ngushëllime, do të mund ta shohin vëllanë të shtunën, në selinë e EULEX, në Prishtinë, për ku u nis pas gati tri orësh qëndrimi në Burojë, transmeton Klan Kosova.

Ajo natë mes të premtes e të shtunës ishte e para që Thaçi e kaloi në Kosovë, prej 5 nëntorit 2020, kur u transferua në Hagë.  

Thaçi qe në Kosovë edhe tetë ditë para se babai t’i ndahet nga jeta. Atë e vizitoi në spital, më 21 mars të vitit të kaluar, ku qëndroi tri orë. Brenda, ish-presidentit i ishte lejuar takimi edhe me nënën dhe gruan e tij.

Pas asaj vizite, Hashim Thaçi u transferua direkt në Hagë.

Kjo vizitë e tij, mbi bazë humanitare, ishte realizuar pas kërkesës së 14 shkurtit 2025, që ishte e katërta e tij për ta parë babanë e sëmurë.

Pavarësisht sa urgjente e konsideronte Thaçi gjendjen dhe kërkonte të vinte menjëherë në Kosovë, kjo nuk i ishte mundësuar deri më 13 mars, me arsyen se ai i kishte harxhuar të gjitha 10 vizitat brenda muajit, sa ishin të lejuara.

Kujtojmë se kërkesa e tretë i ishte refuzuar dyfish, ndërkaq dy herë tjera Hashim Thaçi i ka vizituar babain dhe nënën e sëmurë gjatë majit dhe shtatorit 2023. 

Të ngjashme