Katër jetë të humbura për 24 orë në aksidente trafiku, Ahmeti: Shpejtësia dhe rrugët, shkaktarët kryesorë

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 10:00 | Nga Artiona Çitaku

Vetëm të hënën e kësaj jave katër persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve në trafik.

Kjo u bë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.

Kurse, në katërmujorin e parë të këtij viti numri i personave që humbën jetën në aksidente trafiku është 23, raporton Ekonomia Online.

Por se cilat janë arsyet që po ndodhin aksidente me fatalitet në Kosovë, për Ekonomia Online ka folur eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Ai thotë se shkaktari i parë është tejkalimi i shpejtësisë.

Sipas tij, po ashtu edhe projektimi jo i mirë i rrugëve bëhet burim i aksidenteve.

“Po, përveç mosrespektimit të shpejtësisë së lëvizjes, që është një prej burimeve kryesore, ka edhe problematika të tjera që, vlen për t’u përmendur. Domethënë, projektimi i rrugëve, apo më mirë me thënë realizimi i rrugëve, është asisoj sa që vetiu rruga është burim aksidenti. Pse? Gjithmonë kategoria e tretë e rrugës lidhet me kategorinë e parë, për shembull, sidomos arteriet kryesore që i kemi: Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, do të thotë edhe edhe Prishtinë-Ferizaj. E kemi të njëjtën logjikë ku lidhen prej bizneseve”, tha Ahmeti.

Ai përmend edhe shkaktarë të tjerë.

“Një prej problematikave të tjera se kategoria e tretë asnjëherë nuk bën me u lidhë me kategorinë e parë. E para, e dyta pastaj, edhe bëhen kryqëzime, kurse bizneseve iu qitet rrugë sekondare. Njëra prej tyre, problematika tjetër është që, do të thotë, e ka krijuar tash një shpejtësi të lëvizjes të vogël, ku qytetarët tentojnë zakonisht ta vjedhin shpejtësinë për me munduar me lëvizë me lëvizë me shpejtësi ku de fakto tërheq rruga, për arsye se është katër me katër korsi, dy vajtje, me nga dy vajtje-ardhje. Do të thotë, kaluar kanë qenë me nga një korsi edhe kufizimi i shpejtësisë ka qenë 80 km në orë. Tash janë bërë me nga dy korsi, kufizimi 60 km në orë. Do të thotë ka anomali projektuese, po së bashku me të edhe mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, po një ndër to, kufizimi i shpejtësisë së lëvizjes”, tha Ahmeti.

Ndërsa, fajëson Policinë duke thënë se jo gjithmonë shohin personat të cilët bëjnë shkelje të rregullave në komunikacion.

Ahmeti, shton se sikur në Kosovë të kishte radar mobil e statikë, problematika e aksidenteve do të ishte zgjidhur tash e sa vite.

“Policia janë dembelë, një prej policisë më të dembelë në rajon po mendoj, edhe aty ku duan me punuar, ndoshta jo gjithmonë e shohin personin i cili bën shkelje të rregullave të komunikacionit. Unë e kam pasë cekë që mungesa e inteligjencës artificiale e bën një prej shkaktarëve apo burimeve të aksidenteve, se kishim pasë radarë mobilë e statikë edhe kamera, kjo problematikë ishte zgjidhë ndoshta tash e disa vite”, tha Ahmeti për EO.

Ahmeti bëri thirrje që të shfrytëzohet më shumë transporti publik dhe të respektohen shenjat e komunikacionit.

“Shfrytëzimi i transportit publik edhe qasja me inteligjencë artificiale. Po, një prej, do të thotë ky është faktori, faktori objektiv. Kurse faktori subjektiv është respektimi i shenjave, rregullave të komunikacionit prej anës së ngasësit”, tha ai.

Policia e Kosovës  në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online ka bërë të ditur se në katër muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 22 aksidente me fatalitet, në të cilat kanë humbur jetën 23 persona.

Kurse për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë regjistruar po ashtu 22 aksidente me fatalitet, por në të cilat kanë humbur jetën 25 persona.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se në katër muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2838 aksidente me lëndime, në të cilat janë lënduar 4794 perona.

Të ngjashme