Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”, raporton Ekonomia Online.
KDI-ja ka theksuar nevojën e një konsensusi institucional, duke filluar nga Qeveria, partitë opozitare si dhe në bashkërendim me Presidentin e vendit.
Violeta Haxholli nga KDI-ja tha se presin që pasi Kosova të konsolidojë institucionet e reja, një ndër çështjet prioritare të jetë vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.
“KDI konsideron që pa pasur konsensus, nuk duket hyrë në dialog dhe partitë duhet lënë inatet partiake. Përgjegjësitë për dialogut bien mbi qeverinë dhe kryeministrin e ri, ai duhet të jetë bartës i iniciativave për konsensus”.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja thekson nevojën e tejkalimit të dallimeve në mes të spektrit politik në vend.
“Gjykata Kushtetuese e qartësoj që procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga Qeveria dhe Kryeministri, por me bashkërendim të veprimeve me Presidentin. Dallimet eventuale janë çështje të cilat duhet të adresohen, këta dy krerë institucional duhet të dakordohen dhe të dalin me një qëndrim unik, ne kërkojmë që partitë opozitare duhet të jenë të përfshira që nga fillimi i procesit, ne presim nga ato parti të jenë konstruktive”.
“Elementi tjetër është edhe dimensioni kohorë, kur duhet të zhvillohet ky proces, ne kemi kërkuar që të ketë konsensus edhe për këtë element, aspekti i afatit kohor duhet të jetë i lidhur me afatin kohorë. Aspekt tjetër për konsensus janë edhe temat e diskutimit, është e nevojshme të ndërtohet një konsensus për temat që diskutohen duke pasur parasysh edhe mendimet e qytetarëve. Element tjetër janë edhe 33 marrëveshjet e arritura, duhet të qartësohet çfarë nënkuptohet rivlerësimi i këtyre marrëveshjeve, për të reflektuar për të ardhmen. Konsiderojmë që duhet të ketë një konsensus se çfarë duam të shtymë përpara, për të lobuar”.
Krasniqi tha se mosarritja e një marrëveshje që nuk është konsensuale do të na sillte në një marrëveshje që nuk do të ishte e respektueshme dhe do të dilnim si një partner jo serioz para spektrit ndërkombëtarë.
Krasniqi ka renditur disa nga rekomandimet.
“Ne i kërkojmë qeverisë së re, të intensifikoj përpjekjet për një konsensus, këto konsultime duhet të jenë në bazën e mirëbesimit. Një kërkesë tjetër është që subjektet opozitare duhet të tregojnë konstruktivitet. Ne vlerësojmë që përfshirja e qytetarëve në dialog është më se e nevojshme, vlerësojmë është e domosdoshme që të gjithë qytetarët edhe serbët të jenë të përfshinë në dialog, patjetër edhe një bashkërendim me ndërkombëtarët”, tha Krasniqi, raporton EO.