Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot debat publik, me studentët e rajonit të Prishtinës, kryetarin e kësaj komune si dhe deputet të Kuvendit të Kosovës nga ky rajon, ku kanë diskutuar rreth formave të llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset zgjedhore dhe politike.
Panelistë në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Blerta Deliu, deputete (PDK), Arben Gashi deputet (LDK) si dhe Glauk Konjufca, deputet (LVV).
Me këtë rast deputetja Blerta Deliu, sa i përket llogaridhënies theksoi se viteve të fundit, Kuvendi i Kosovës është hapur më tepër për qytetarët dhe shoqërinë civile. Personalisht ka thënë se pranon pyetje të ndryshme nga qytetarët përmes formave të ndryshme përfshirë platformën e KDI-së “Vota Ime” nëpërmjet së cilës ka thënë se kërkohet llogari direkte nga deputetët. Nga pyetjet që pranon thekson se shqetësimet më të mëdha të qytetarëve lidhen me papunësinë.
Ndërsa deputeti Galuk Konjufca, ka theksuar se llogaridhënia është një kategori që ende nuk është konsoliduar sa duhet në Kosovë e të cilën e ka konsideruar si bazamentin e demokracisë. Sipas tij, problemi kryesor në Kosovë qëndron tek ajo se përgjegjësia publike nuk ekziston ashtu siç duhet. Premtimet ka thënë se nuk merren seriozisht nga politikanët madje sipas tij aspekti i fundit i një premtimi është përmbushja e tij.
Kurse deputeti Arben Gashi, ka nënvizuar se problemi kryesor që e kanë demokracitë në tranzicion janë kompleksiteti i vendimmarrjes dhe tradita në vendimmarrje e përfaqësim. Pikërisht edhe çështja e llogaridhënies ka thënë se ka të bëjë me traditën institucionale.
Ai ka shpjeguar nivelet e qeverisjes dhe përgjegjësitë që kanë të zgjedhurit në nivel lokal dhe qendror. Po ashtu ka folur edhe për lirinë e shprehjes dhe mungesën e këtij elementi përbrenda partive në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shpjegoi llogaridhënien nëpërmjet shembujve se si liderët botërorë kanë dhënë dorëheqje nga postet publike për shkak të mungesës së transparencës apo shkeljeve ligjore. Sipas tij, llogaridhënia funksionon vetëm kur ka ndëshkim na ana e atyre që duhet tu japësh llogari. Pikërisht në Kosovë ka vlerësuar se po mungon një gjë e tillë. Ndëshkimi nga ana e qytetarëve ka thënë se është hallka që nuk po funksionon.
Nga ana tjetër studentët e rajonit të Prishtinës ngritën shumë çështje gjatë këtij debati duke drejtuar pyetje për panelistët lidhur me cilësinë në arsim, premtimet elektorale, transparencën dhe llogaridhënien, mungesën e takimeve me të zgjedhurit etj.
Ky debat është organizuar me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i votueseve të rinj për të marrë vendime duke qenë të informuar dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”.