KE përkrah bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 25 Gus 2017 | 14:06 | Nga

Komisioni Evropian mbështet fuqishëm kooperimin rajonal të Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e perspektivës së tyre për hyrje në BE, përmes investimeve substanciale në lidhjen e infrastrukturës, ekonomisë dhe njerëzve brenda vetë rajonit dhe ndërmjet rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Komisari evropian për Zgjerim, Johanes Hahn do të jetë pjesë e takimit të nesërm informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me temë thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti, i cili do të mbahet në Durrës.

Në këtë takim do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ai i Malit të Zi Dushko Markoviç, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq dhe Cyril Muller, zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Në një komunikatë për media thuhet se fokusi i takimit do të jetë implementimi i përkushtimeve të marra në Samitin e Triestes në korrik të këtij viti, sidomos në planin e aksionit mbi thellimin e integrimeve ekonomike të rajonit.

Zona ekonomike rajonale, për të cilin është shprehur pajtimi në Samitin e Triestes, sjell mundësi të reja për biznesin dhe qytetarët, si dhe për forcimin dhe rritjen e vendeve të punës, konsideron Komisioni Evropian.

Hapat e ardhshëm konkretë përfshijnë njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale, identifikimin dhe heqjen e barrierave, të cilat pamundësojnë investimet në rajon, duke vendosur një dialog rajonal mbi transformimin digjital.

Ndryshe, veprimtaria njëditore e takimit të nesërm informal në Durrës do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale.

Po ashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme