KEK arrin një tjetër sukses, certifikohet me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur një tjetër sukses në rrugëtimin e saj drejt modernizimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm, duke u certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015 për Menaxhimin e Cilësisë.

Ky certifikim dëshmon qartë përkushtimin e KEK-ut për të ndërtuar dhe zbatuar sisteme të avancuara menaxheriale, në përputhje të plotë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi, i cili ka filluar më 1 shtator 2025 dhe është finalizuar me sukses pas auditimit të jashtëm, konfirmon se KEK tashmë operon mbi baza të forta të cilësisë, efikasitetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

Certifikata e lëshuar, me vlefshmëri deri më 29 prill 2029 , mbulon aktivitetet kryesore të korporatës, përfshirë menaxhimin, administrimin dhe operimin e termocentraleve dhe minierave të qymyrit – duke e pozicionuar KEK-un në një nivel të ri të besueshmërisë dhe performancës.

Ky sukses është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të të gjithë stafit të KEK-ut, profesionalizmit të treguar gjatë gjithë procesit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet të gjitha njësive organizative.

Ky certifikim nuk është vetëm një arritje – është një dëshmi konkrete se KEK është në rrugën e duhur drejt transformimit në një korporatë moderne, efikase dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Të ngjashme