Kelmendi: Peja e qytetarëve, jo e klaneve

Pejë | 26 Sht 2017 | 19:46 | Nga Valbona Bytyqi

Nisma për Kosovën hapi sot fushatën zgjedhore në Pejë. Ish-publicisti Sali Kelmendi, i cili garon për t’u bërë i pari i Pejës, tha se qyteti dikur i njohur për begatitë, kulturën, bukuritë dhe resurset që i ka, sot i ngjan një qyteti oriental, ku zhvillimi ka stagnuar.

Sipas tij, drejtuesve të deritanishëm, krahas neglizhencës, iu ka munguar dhe dija e kreativiteti.

“Moto kryesore e imja është: ‘Peja e qytetarëve, e jo Peja e klaneve’. Mjaft kanë udhëhequr klanet në këtë komunë”.

Kandidati për kryetar të Pejës nga Nisma ka premtuar ta kthejë rendin dhe ligjin në urbanizëm.

“Fatkeqësisht, drejtuesit e Pejës nuk kanë treguar se dinë më shumë se sa shkëpusin pronën shoqërore edhe t’ua inkorporojnë klaneve, ta varfërojnë qytetarin e thjeshtë. Sheshi është shndërruar në ‘Luna Park”, u shpreh Kelmendi.

Sipas tij, Nisma ofron kandidatë me kompetencë, me përkushtim edhe me ndershmëri.

Pjesë të planprogramit, Kelmendi ia kushtoi dhe zhvillimit ekonomik të Pejës dhe zbutjes së papunësisë. Ai tha se këtë synon ta bëjë të mundur duke rifunksionalizuar edhe zonën i industriale në këtë komunë.

“Do të angazhohem, gjithashtu, ta zgjidh çështjen ujit. Peja është e pasur, ka 1300 litra ujë në sekondë, që mjaftojnë për 600 mijë banorë. Besoni, apo jo, ka 5-6 ditë që gjysma e Pejës është pa ujë”.

Krasniqi porosit pejanët: Peshojeni votën!

E kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, beson se pejanët janë të vetëdijesuar dhe do të dinë për të votojnë më 22 tetor.

Ai porosit pejanët “ta peshojnë votën”. ” Jemi 18 vjet pas luftës e 10 vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe stabilitetin e shtetit e kemi shumë larg. Perspektivën e qytetarëve nuk po e shohim në shtetin e pavarur dhe sovran”.

“Shumë djem e vajza, perspektivën e tyre nuk e shohin në Kosovë, por jashtë. Për mua si një njeri që ka bërë shumë për këtë vend, kjo është shumë e dhimbshme”, u shpreh ai.

“Ka ardhur koha që të gjithë votuesit, të rinj e të vjetër, të mendojnë shumë kur e adresojnë votën e tyre”, ka porositur Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme