Kërcënohet ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 17:20 | Nga

Ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, tani gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda, Hamdi Ibrahimi, është kërcënuar këtë të enjte në objektin e Pallatit të Drejtësisë, pas shpalljes së aktgjykimit në një rast.Ibrahimi, pasi shpalli aktgjykim dënues ndaj Florim Alisë i cili akuzohej për “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, u kërcënua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të afërmit e këtij të fundit.

“Unë nuk mund të flas shumë lidhur me këtë rast, mirëpo mund të them se ka ndodhur diçka që nuk është dashur të ndodhë” tha Ibrahimi për “Betimi për Drejtësi”.

Megjithatë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar zëdhënësen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për të na njoftuar më shumë lidhur me rastin në fjalë.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, pas shpalljes së aktgjykimit në çështjen penale ndaj të akuzuarit F.A, kanë reaguar të afërmit e të akuzuarit dhe po ashtu edhe vet i akuzuari duke kërcënuar drejtë për së drejti kryetarin e trupit gjykues- gjyqtarin Hamdi Ibrahimi lidhur me dënimin që i ka shqiptuar të akuzuarit” ka thënë Gashi në përgjigjen e dërguar.

Sipas Gashit, Policia e Kosovës, kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura me ç ‘rast kishte arrestuar tre persona për kanosje të gjyqtarit në fjalë si dhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Tutje, këta persona janë ndaluar nga zyrtarët policor prezent dhe më pas janë shoqëruar në zyrat e Policisë brenda objektit të Gjykatës. Tre të arrestuarit janë shoqëruar në stacionin policor “Jugu”.

E kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti, deklaroi se ka pasur mosmarrëveshje në mes të gjyqtarit dhe familjarëve të të akuzuarit, për të cilën tre persona janë arrestuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor, ku më pas do të intervistohen.“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe mbrojtësin e të akuzuarit Alija, avokatin Asdren Hoxha. Ky i fundit tha se nuk ka pasur ndonjë kanosje.

“Është bërë shpallja e aktgjykimit dhe ka pasur pakënaqësi nga familjarët e të akuzuarit, por nuk ka pasur fjalë fyese apo diçka tjetër” deklaroi Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme