Kuvendi i Kosovës duhet ta marrë pronësinë e dialogut me Serbinë, ngase askush nuk ka mandat të negociojë apo nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare që prekin territorin, shkruan sot Koha Ditore.
Kështu është thënë në tryezën me temën “Dialogu Kosovë-Serbi: Rrugë e gjatë deri te marrëveshja”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Por dallimet mes partive në pushtet dhe opozitës janë konfirmuar edhe aty. Derisa pozita insiston në miratimin e një dokumenti të përbashkët në Kuvend, për opozitën kjo duhet të ndodhë pas një rilegjitimimi të ri, nëpërmjet zgjedhjeve të reja.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për aspektet kushtetuese që ndërlidhen me mandatin e presidentit në negociata. Sipas tij, pa një mandat të qartë nga Kuvendi, përmes një vendimi të veçantë “ad hoc” që mandaton një grup të posaçëm negociues me Serbinë, “nuk mund të flitet për legjitimitet negociues dhe vendimmarrës të askujt në Kosovë”.