Kërkohet respektim i masave për Covid-19 nga subjektet afariste dhe gastronomike në Komunën e Ferizajt

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme është mbajtur një takim koordinues me subjektet afariste të natyrës gastronomike në Komunën e Ferizajt rreth zbatimit të masave për Covid-19. Pjesëmarrës në këtë takim ishin drejtues të Inspektoratit Komunal, drejtues të Policisë së Kosovës si dhe drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nga rajoni i Ferizajt.

Më një fjalë rasti të pranishmëve në këtë takim i është drejtuar kryeinspektori i Ferizajt Ridvan Berisha me ç’rast ka thënë se masat e reja për Covid-19 duhet të zbatohen në mënyrë që të ruhet shëndeti i gjithë qytetarëve të Ferizajt. Ai ka kërkuara gjatë gjithë kohës që të respektohet distanca fizike jo më shumë se 1.5 metra, të mos ulën më shumë se 4 persona në një tavolinë, përveç nëse janë anëtarë të së njëjtës familje, të këtë dezinfektues të qasshëm lehtë nga klientët në çdo lokal, si dhe stafi të jetë i pajisur me dorëza dhe maska, si dhe shumë rregulla të tjera të cilat tashmë janë bërë publike në bazë edhe të manuelit të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq drejtoresha të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nga rajoni i Ferizajt, Sevdije Mehmeti-Topalli, ka theksuar se gjatë këtyre ditëve ka rritje të numrit të rasteve pozitive, ndërsa ka theksuar se pikërisht për këtë po rriten edhe masat mbrojtëse dhe që duhet të respektohen nga të gjithë.

“Unë e kuptoj brengën e juaja, por unë në këtë rast duhet të mbroj shëndetin e njerëzve, një jetë e dikujt është shumë më e çmuar se sa një dështim i një biznesi cili do qoftë”, ka thëne Sevdije Mehmeti-Topalli, përderisa ka shtuar se bartjen e maskave duhet të jetë e domosdoshme për secilin qytetarë.

Edhe zv/komandanti i stacionit të policisë Qazim Reka, ka kërkuar nga bizneset afariste dhe të gastronomisë që të mirëmbahen rregullave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë në mënyrë që numri i prekurave të zvogëlohet dhe të mos ketë edhe raste të tjera.

Nga ana tjetër shumica e bizneseve në këtë takim kanë pasur edhe vërejtjet e tyre sa i përket manualit të Ministrisë së Shëndetësisë, por kanë thënë se do t’ju përmbahen këtyre rregullave për shkak që sipas tyre shëndeti i çdo qytetari është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Takimi koordinues me subjektet afariste të natyrës gastronomike në Komunën e Ferizajt rreth zbatimit të masave për Covid-19 është mbajtur në dy pjesë duke respektuar masat mbrojtëse kundër virusit.

Të ngjashme