Kërcimet nga Ura e Fshejtë vazhdojnë të jenë një nga aktivitetet që promovojnë më shumë Gjakovën nëpër botë.
Por, për të ngritur nivelin dhe për ta bërë më popullor këtë sport të veçantë në mesin e rinisë gjakovare, klubi “Kërcyesit e urës” kërkon që të krijohen kushte më të mira për ushtrime.
Trajneri Avdyl Osmani njoftoi se do të bëhet kërkesë që të vendoset një trampolinë statike poshtë urës mbi lumin Dri në tri nivele në mënyrë që aty të marrin hapat e parë të kërcimit të rinjtë e interesuar në këtë sport.
“Kërkojmë nga Ministria e Sportit, Komuna por edhe bizneset që të na ndihmojnë për këtë trampolinë statike. Duam ta bëjmë me tri nivele, 5 metra, 10 metra dhe 12 ose 15 metra. Me 5 metra ja nisin fillestarët, pastaj kalojnë në 10 metra dhe në 12 metra. Kur të kërcejnë nga 12 metra atëherë janë të përgatitur të kërcejnë edhe nga ura”, tha Osmani.
Osmani shtoi se të rinjtë guximin dhe teknikën do ta marrin duke kërcyer nga kjo trampolinë. Sipas tij, këto kërcime nuk duhet të merren vetëm si aktivitet atraktiv, pasi kërcimet nga trampolinë janë disiplinë olimpike dhe në të ardhmen Gjakova mund të ketë përfaqësuesin e saj në Olimpiadë.(Radio Gjakova)