Koalicioni i OJQ-ve “Java Anti-korrupsion” ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Integriteti, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë: Nevoja për Vetting”.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka prezantuar raportin, gjatë të cilit ka thënë se çështja e vettingut ka nevojë dhe meriton të ngritët në diskutim publik, raporton Ekonomia Online.
Ai ka përmendur një përpjekje pas pavarësisë së Kosovës, për vetting, për të cilin ka thënë se pavarësisht të metave që ka pas, ka arrit të largojë nga sistemi prokurorë e gjykatës që janë identifikuar si të parregullt.
“Ankesa kryesore pse nuk funksionon sistemi drejtësisë është zvarritja e lëndëve që më pas shfaqen ato ndërhyrje që shohim se bëhen nga politika dhe grupe të ndryshme të interesit. Në Kosovë edhe Këshillin Gjyqësor, Prokurorial dhe Policinë i kemi të pavarura, madje janë si shtet brenda shtetit, sepse kanë aq shumë pavarësi sa u mungon llogaridhënia ndaj qytetarëve”, pohoi Musliu.
“Shpesh janë bërë fizkultura të ndryshme që sistemi i drejtësisë t’iu ofrojë imunitet zyrtarëve. Kjo d.m.th që zyrtarët kanë imunitet dhe nuk ndiqen dhe nuk gjykohen. Në polici kemi pas skandale të vazhdueshme, janë sidomos vjedhjet në dhomën e dëshmive si në Prishtinë si në Pejë. Më i përfoluri ka qenë departamenti i krimeve ekonomike ku rastet janë montuar”, tha Musliu.
“Njëjtë është edhe në sistemin gjyqësor, ende nuk kemi pa një gjykim që është pa në kohë të arsyeshme dhe përkundër politikave që lëndët të trajtohen me prioritet. Këto e kanë bërë që qytetari ta humb besimin tek institucionet. Mekanizmat e brendshëm të llogaridhënies nuk kanë qenë funksionalë”, shtoi Musliu, transmeton EO.
Michelle Lakomy nga ambasada amerikane në Kosovë, ka thënë se vettingu duhet të jetë i vazhdueshëm.
“Është e rëndësishme që institucionet po marrin pjesë në këtë tryezë sepse nëse po flasim se si funksionon antikorrupsioni, duhet të kemi personat që tregojnë se si ekzaminohet. Idea është që vettingu do fokusohet për sigurimin e personave me integritet në institucione. Çfarë mund të bëjmë është të flasim se si këto struktura do duken dhe veprojnë për të bërë një drejtësi efektive për qytetarët e Kosovës. Duhet të ketë mekanizma të llogaridhënies, të sigurohemi që institucionet po integrojnë persona të mirë”, tha Lakomy.
Ndërsa, Nehat Idrizi, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se vendimmarrja e vettingut tani është e parakohshme.
“Kur jemi tek gjykatat dhe prokuroritë, ka ngritur dilemën nëse këto institucione janë llogaridhënëse dhe nëse gjyqtarët e prokurorët kanë integritetin e duhur për të shtruar detyrat e tyre. Kur jemi tek efikasiteti, gjykatat performojnë kënaqshëm sidomos tri vitet e fundit. Janë përfunduar më shumë lëndë se sa që janë pranuar. Megjithatë nuk janë për t’u mbivlerësuar”, tha Idrizi.
“Duhet të bëhet një analizë më detale dhe a kemi nevojë dhe cilat mund të jenë pasojat nëse fillojmë me Vetting”, shtoi Idrizi.
Blerim Isufaj, kryesues i Këshilli Prokurorial të Kosovës, ka thënë se vettingu duhet të jetë permanent, përndryshe është shprehur se nuk do të jetë efikas.
“Me po jetojmë këtu dhe nuk mund të dalim jashtë realiteti që ekziston por të paktën i kemi kushtuar kujdes të madh anti-korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Jemi të vetëdijshëm se na duhet një performancë më e mirë e prokurorëve por në saje të ndryshimeve të fundit jam i sigurt se në të ardhmen do kemi performancë më të mirë”, tha Isufaj.
“E potencuat se kemi pas prova të vettingu në 2010, që tregon se vettingu duhet të jetë permanent dhe nuk duhet të jetë vetting që ndryshon emra. Ne jemi për me qenë transparent, me pas vetting por jo për atë që me hi me ndryshuar”, pohoi Isufaj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka ofruar përkrahjen e policisë për vetting.
“Vettingu është dashtë të filloj dje se sot është vonë. Gjithnjë duke besuar se vettingu do ta pastrojë institucionin në raport me qytetarin. Sa i përket policisë jemi të gatshëm dhe e mbështesim pafundësisht”, tha Qalaj.