Këshilli i BE-së jep dritën e gjelbër për digjitalizim të procedurës së vizave

Prishtinë | 13 Nën 2023 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar rregulla të reja sot që do t’i lejojë personat që planifikojnë udhëtimin në zonën Shengen të aplikojnë online për viza, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Shtetasit kosovarë pritet të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janar 2024, pasi Parlamenti Evropian e miratoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti.

Zona Schengen përbehet nga 23 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, por edhe nga vende si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

“Mundësia për të aplikuar online për një vizë Shengen do të jetë përmirësim i madh për qytetarët dhe për procesim të aplikimeve. Do të thjeshtësojë procesin e aplikimit për udhëtuesit, e në të njëjtën kohë, do të zbusë barrën për administratat e ndryshme kombëtare, që do të jenë në gjendje të reagojnë në mënyrë më të shpejtë e më efikase”, ka thënë ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska Gomez.

Dy rregullore janë miratuar të hënën.

E para BE-ja do të krijojë një platformë për aplikim për viza. Me disa përjashtime të vogla, aplikimet për viza Shengen do të bëhen në atë platformë. Në platformë, aplikuesit do të jenë në gjendje të japin të gjitha të dhënat, të ngarkojnë kopjet elektronike të pasaportave e dokumenteve përcjellëse e po ashtu pagesa e vizës do të bëhet online.

Paraqitja personalisht në ambasada do të jetë vetëm për personat që aplikojnë për herë të parë për viza, njerëz të dhënat biometrike të të cilëve më nuk janë të vlefshme dhe ata që kanë një dokument të ri udhëtimi.

Po ashtu do të zëvendësohet ngjitësi aktual i vizës me një barkod i nënshkruar në mënyrë kriptografike.

Dy rregulloret do të publikohen në revistën zyrtare të BE-së dhe do të hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit.

Data e aplikimit të rregullave të reja do të vendoset kur puna teknike e platformës dhe digjitalizimi i vizave të përfundohet.

Të ngjashme