Zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë në shumë komuna nuk sjelli ndonjë befasi sa i përket rezultatit dhe fitores të disa kandidatëve që u rikonfirmuan në pozitat e tyre si kryetarë komunash.
Madje disa prej tyre fituan pozitat e tyre për herë të dytë e disa prej tyre edhe për herë të tretë dhe më shumë.
Gazmend Muhaxheri i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raundin e parë duke marrë 60.49 përqind.
Muhaxheri në pozitën e kryetarit të Pejë arriti të konfirmohet për herën e tretë.
Ai i fitoi garat në vitin 2013, pastaj në vitin 2017 e tash edhe në vitin 2021.
Fat të njëjtë e ka përcjell edhe bashkëpartiakun e tij Imri Ahmetin në Lipjan.
Edhe Ahmeti e përfundoi çështjen e fituesit në raundin e parë, duke marrë 56.42 përqind kështu duke e fituar postin e kryetarit të Lipjanit për herën e tretë radhazi,
Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do ta vazhdojë qeverisjen edhe për katër vjet të tjera në Deçan.
Ramosaj po ashtu arriti të fitojë në raundin e parë duke marrë 64.90 përqind të votave.
Kështu ai rizgjidhet për herën e dytë në krye të kësaj komune.
Gjithashtu edhe Bali Muharremaj, që vjen po ashtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dilemën e fituesit e përfundoi qysh në raundin e parë duke marrë 51.30 përqind të votave.
Kështu ai rizgjidhet si kryetar i Suharekës për herën e dytë.
Postin e tij në Ferizaj e ruajti edhe Agim Aliu, i Partisë Demokratike të Kosovës.
Aliu si kryetar i këtij qyteti u rikonfirmua pasi fitoi pa balotazh duke marrë 62.38 përqind të votave.
Ai rizgjidhet për më shumë se dy herë në këtë pozitë.
Në të njëjtin post edhe për katër vitet e ardhshme do të qëndrojë edhe Ardian Gjini, që kandidojë për kryetar të Gjakovës.
Ai arriti të rikonfirmohet për herën e dytë pasi në raundin e dytë e mposhti kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.
Gjini mori 56.06 përqind të votave.
Edhe kolegu i tij nga AAK Zenun Elezaj, do të jetë kryetar i Klinës edhe për një mandat.
Ai fitoi përball Esat Racit nga Partia Demokratike e Kosovës.
Elezaj në raundin e dytë mori 55.11 përqind të votave.
Karriken e kryetarit nuk do ta lëshojë as Ramiz Lladrovci, i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai fitoi përball Driton Ajazit, që vie nga Iniciativa Qytetare “Demokratët për Drenasin”.
Lladrovci mori 54.14 përqind duke fituar mandatin për herën e dytë.
Po ashtu edhe bashkëpartiaku i tij Besim Ilazi, nuk do të lëviz nga pozita e të parit të Kaçanikut.
Ai triumfoi në raundin e dytë duke e mposhtur kundërkandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje Jeton Raka.
Ilazi mori 53.20 përqind të votave.
Gjithashtu edhe Smajl Latifi i AAK-së konfirmohet edhe njëherë si kryetar i Rahovecit.
Ai në raundin e dytë mori 65.32 përqind të votave duke e mundur Visar Korenicën nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu edhe Latifi merr më shumë se një mandat në krye të komunës së Rahovecit.
Edhe një mandat në krye të Vitisë do të jetë Sokol Haliti i LDK-së.
Haliti rizgjidhet duke marrë mandatin për herën e tretë.
Ai e mundi Arsim Ademin të Lëvizjes Vetëvendosje duke marrë 51.48 përqind të votave në raundin e dytë.
Në pozitën e kryetarit u rizgjodh edhe Shpejtim Bulliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje i cili do ta udhëheqë Podujevën për katër vjet.
Ai e mposhti Ekrem Hysenin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bulliqi për herë të parë në krye të komunës së Podujevës u zgjodh në nëntor të vitit 2020.
Në krye të komunës së Obiliqit për herë të dytë do të jetë Xhafer Gashi.
Ai fitoi në raundin e dytë përball Halil Thaçit të Vetëvendosjes, duke marrë 61.41 përqind.
Kryetar i Fushë Kosovës edhe për një mandati do të jetë sërish Burim Berisha, i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Berisha është konfirmuar në krye të kësaj komune për më shumë se katër mandate.
Ai në raundin e dytë e mposhti Enver Bajçincën, e Lëvizjes Vetëvendosje pasi mori 66.04 përqind të votave.
Ndërkaq bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ketë ndryshim të rezultatit në komunën e Junikut dhe në Dragash.
Në Junik kryetari aktual Agron Kuçi nga AAK është në disavantazh ndaj kandidatit të LDK-së Ruzhdi Shehu.
Epërsia e Shehut ndaj Kuçit është 29 vota dhe me numërimi e votave me postë dhe të personave me aftësi të kufizuar mund të ketë përmbysje të rezultatit dhe konfirmim të Agron Kuçit edhe për një mandat në krye të Junikut.
E rezultat i ngushtë është edhe në Dragash ku në garë janë Shaban Shabani, nga PDK i cili është kryetar aktual dhe është në epërsi ndaj kandidati të LDK-së Behxhet Xheladinit.
Edhe në këtë komunë mund të ketë përmbysje të rezultatit.
Në rast se konfirmohet rezultati aktual Shaban Shabani i PDK-së rikonfirmohet në krye të Dragashit edhe për një mandat.