Këto figura të rëndësishme mbetën jashtë Kuvendit

Prishtinë | 24 Qer 2017 | 12:10 | Nga

Jashtë Kuvendit të Kosovës do të mbesin edhe disa figura shumë të rëndësishme politike të PDK-së, të cilët kanë mbajtur pozita të larta në të kaluarën në Qeveri dhe në Kuvend.

Bëhet fjalë për ish-zëvendëskryeministrin Hajredin Kuqi, ministrin Arsim Bajrami, Selvije Halimin, Luljeta Veselaj-Gutajn, Abdyl Imerin, Bislim Zogajn, Nait Hasanin, Rafet Ramën, Shaip Mujën e Hajdar Beqën.

Mirëpo, Beqa mohon që votuesit më 11 qershor ta kenë lënë jashtë Kuvendit.

“Fillimisht e vlerësoj procesin zgjedhor që ka qenë i rregullt. Kanë qenë zgjedhje të qeta dhe të mira. Unë po flas nga të gjitha të dhënat që i kemi nga nëndegët, jam shumë optimist që kam kaluar pragun për deputet dhe do të jem deputet në legjislaturën e ardhshme. Kjo është 100% e sigurt”, ka thënë Beqa.

Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se lënia jashtë përbërjes së re të Kuvendit e shumë deputetëve nga legjislaturat e kaluara flet për atë se votuesit janë të informuar dhe dinë kë ta votojnë.

“Zgjedhjet e fundit kanë treguar që votuesi është shumë më i përgatitur dhe më i informuar sesa që mendohet nga kandidatë të ndryshëm, sidomos ata që kanë qenë në legjislaturë për një kohë të gjatë, ndërsa roli i tyre ka qenë pasiv. Votuesit kanë filluar gjithashtu të shohin se në fakt të qenit pjesë e Parlamentit reflekton edhe në fuqinë vendimmarrëse përbrenda partisë dhe në anën tjetër fuqia e votës i jep kontrolle edhe ekzekutivit dhe pas kaq shumë vitesh përfitimet e votuesit janë minore dhe premtimet që janë dhënë nuk janë realizuar”, thotë Abazi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme