“Është koha që njerëzit të çlirohen nga mashtrimi hipnotizues i Albin Kurtit” – Këto janë 18 pikat e Deklaratës Politike AAK-Nisma

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate zyrtarizuan sot marrëveshjen për koalicion për zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen gjatë këtij vitit ose më së largu në shkurt 2025.

Ekonomia Online sjell tekstin e Deklaratës Politike, me 18 pika, të cilën e nëshkruan krerët e dy partive, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj:

1. Jemi përcaktuar që mashtrimin me shifra fiktive te rritjes ekonomike, ta shndërrojmë ne zhvillim real e rritje dyshifrore ekonomike;

2. Ndihmat sociale do t’i shndërrojmë në paga e pensione të dinjitetshme, që nënkupton dyfishimin e tyre;

3. Kosova nuk do të jetë më vend me shëndetësi të sëmurë, ku qytetarët e saj, sëmundjen e marrin në vendin e vet, e shërimin e paguajnë jashtë. Nuk do të jetë vend pa sigurime shëndetësore. Është zotim yni, që sistemi shëndetësor të jetë, të paktën si i vendeve të rajonit;

4. Arsimi nuk do të jetë kurrë më, i renditur në vendet e fundit të PISA-s, por do t’i nënshtrohet një reforme thelbësore, e cila do të garantojë cilësi;

5. Do të ndalet njëherë e përgjithmonë poshtërimi i kategorive të lirisë dhe ata do të trajtohen me dinjitet e me paga të dinjitetshme;

6. Do të jetë përkushtim e investim yni i vazhdueshëm që ta ndalim trendin e braktisjes së vendit dhe të largimit të kuadrove që me aq mund i ka krijuar Kosova;

7. Nuk do të lejojmë njeri që ta ndajë këtë shoqëri, siç po bën klasa politike në pushtet;

8. Do të marrë fund trajtimi armiqësor i komunave që nuk i përkasin partisë në pushtet;

9. Ata që nuk e kanë bërë as edhe një hap për lirinë e këtij vendi, nuk mund të na tregojnë se sa e shtrenjtë është liria; por janë të lirë ta gëzojnë lirinë;

10. Nga përpjekja për kontrollin absolut të të gjitha pushteteve, ato do të jenë të ndara e të paprekshme;

11. Gjyqësori do të trajtohet me dinjitet, e jo me sulme të hapura të qeverisë ndaj tij;

12. Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jenë ndër kategoritë më të vlerësuara dhe më të paguara, e nuk do ndodhë asnjëherë që njësitë elite të policisë të protestojnë para qeverisë;

13. Me në fund do të ndërpritet diktati i pushtetit mbi shoqërinë civile, mediat, institucionet e pavarura, mësimdhënësit, mjekët e infermierët, policinë, prokurorinë e deri te Gjykata Kushtetuese;

14. Në këtë vend do të marrin fund sulmet e “brigadave të paguara” të rrjeteve sociale ndaj njerëzve të ndershëm dhe secili do të përgjigjet për fjalën e vet;

15. Do të ndalen mashtrimet me dialogun Kosovë-Serbi. “Jo e pranova jo se pranova…”

Marrëveshja me Serbinë, vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me garanci të SHBA dhe BE;

16. Talljet më shtetet mike, që kanë ndihmuar lirinë tonë e që edhe sot janë garant të saj, do kthehen në partneritet e në miqësi pa hile;

17. Nuk do të ketë forcë që mund ta devijojë rrugën e Kosovës në kursin e saj euro-atlantik, me marrëdhënie të posaçme me Amerikën. Kosova në NATO, në BE dhe OKB, nuk është vetëm orientim politik, por edhe popullor i këtij vendi;

18. Sanksionet e BE-se ndaj Kosovës, do të largohen bashkë me këtë qeveri. Sot është koha që njerëzit të mendojnë lirshëm dhe të çlirohen nga mashtrimi hipnotizues i Albin Kurtit dhe më në fund të jenë të lirë.

Të ngjashme