Në seancën konstituive të Kuvendit e cila është caktuar të mbahet me 3 gusht, mund të vendoset për një ditë fati i kryeparlamentarit dhe Qeverisë së re.
Mazllum Baraliu për Indeksonline ka thënë që brenda ditës nëse seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit kalon pa probleme, me marrëveshje mund të caktohet edhe seanca për votimin e Qeverisë së re.
“Tashmë seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit është caktuar nga Presidenti. Kryesia dhe kryetari I legjislaturës së kaluar mund të mbajnë mbledhje bashkë me administratën dhe të planifikojnë seancën e radhës. Nëse seanca kalon pa problem, të njejtën ditë mund të caktohet edhe Qeveria”
Seanca konstituive e Kuvendit që do të mbahet më 3 gusht , do të nis në ora 10:00.
Në mbledhjen e mbajtur sot nga Kryesia e Kuvendit së legjislaturës së kaluar janë bërë përgatitjet për seancën konstituive.
Në këtë mbledhje është bërë edhe ndarja e ulëseve për grupet parlamentare ku koalicioni PAN si grupi më i madh parlamentar do të ulët në mes të Kuvendit. Ndërsa Vetëvendosje do të ulët në anën e djathtë të kryetarit ndërsa, koalicioni LAA do të ulët në anën e majtë të kryetarit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, do të hapë rrugën që Presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër, që ta krijojë Qeverinë e re, ku nga rezultatet e zgjedhjeve, kandidati nga PAN, Ramush Haradinaj ka më së shumti vota.