Kica-Xhelili: Prokuroria të nisë nga kryeministri e deputetët e pushtetit ndjekjen për nxitje të urrejtjes

Prishtinë | 05 Mar 2024 | 21:45 | Nga Ekonomia Online

Deputetja dhe anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pasi gazetari Lirim Mehmtaj bëri të ditur se ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Prokurori për veprën “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Kica-Xhelili ka thënë se nëse Prokuroria e ka përnjëmend ndjekjen penale të atyre që bëjnë nxitje të përçarjes e mosdurimit, duhen filluar ndjekjen penale nga kryeministri, te ministrat e deri te deputetët e pushtetit

“Nuk më takon të përfshihem në kallëzime, e as hetime penale ku nuk jam palë. Njëlloj nuk më lejohet ta komentoj rastin e Lirim Mehmetaj specifikisht. Por, një gjë e di: Nëse prokuroria e ka seriozisht ndjekjen penale të atyre që bëjnë thirrje shfrenuese e nxitje të përçarjes e mosdurimit, duhen filluar ndjekjen penale nga kryeministri, te ministrat e duke përjashtuar pak (e hiç) deputetë të pushtetit”, shkroi ajo në Facebook.

Kica-Xhelili ka kujtuar “thirrjet propaganduese e linçuese” që sipas saj vijnë “nga foltoret e Kuvendit e te videot propagandistike”.

“Thirrjet propaganduese e linçuese të tyre i keni që nga foltoret e Kuvendit e te videot propagandistike. Bujrum – të gjitha i keni në publik. Po iu përcjellim sa të guximshëm jeni e sa të njëmendtë e keni betejën e luftimit të nxitjes së përçarjes e mosdurimit”, tha ajo.

Të ngjashme