Kinë, të dhënat tregojnë rritjen më të ulët të popullsisë në dekada

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Popullsia e Kinës u rrit me ritmin më të ngadaltë në dekada, sipas të dhënave të sotme nga qeveria.

Shkalla mesatare e rritjes vjetore ishte 0.53% gjatë 10 viteve të fundit, një shkallë më poshtë prej 0.57% midis viteve 2000 dhe 201, duke e çuar kështu numrin e popullsisë në 1.41 miliardë.

Rezultatet shtojnë presionin mbi Pekinin për të rritur masat që çiftet të kenë më shumë fëmijë dhe të shmangin rënien e popullsisë.

Regjistrimi u krye në fund të vitit 2020, ku rreth shtatë milionë regjistrues kishin shkuar derë më derë për të mbledhur informacione nga familjet kineze.

Duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve të anketuar, ai konsiderohet si burimi më i sigurtë për popullsinë e Kinës, i cili është i rëndësishëm për planifikimin e së ardhmes, raporton BBC.

Ning Jizhe, kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave zbuloi se 12 milion foshnje kanë lindur vitin e kaluar – një rënie e konsiderueshme nga 18 milion foshnje të porsalindura në 2016.

Vendet fqinje të Kinës, Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu kanë pasur rënie të nivelit të lindjeve në vitet e fundit, pavarësisht nxitjeve nga ana e qeverisë që çiftet të kenë sa më shumë fëmijë.

Vitin e kaluar, Koreja e Jugut regjistroi më shumë vdekje sesa lindje për herë të parë në histori, duke ngritur alarm të ri në një vend që tashmë ka normën më të ulët të lindjeve në botë.

Popullsia në ulje është problematike për shkak të strukturës së përmbysur të moshës, pra më shumë  të moshuar sesa të rinjtë.

Kur nje gjë e tillë të ndodh nuk do të ketë mjaft punëtorë në të ardhmen për të mbështetur të moshuarit dhe mund të ketë një kërkesë të shtuar për kujdes shëndetësor dhe social.

Trendet e popullsisë së Kinës gjatë viteve janë formësuar kryesisht nga politika e një fëmije, e cila u prezantua në 1979 për të ngadalësuar rritjen e popullsisë.

Familjet që shkelnin rregullat përballeshin me gjoba, humbje të punës dhe nganjëherë aborte të detyruara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme