Kirurgu merr pjesë në një seancë gjyqësore online për derisa po operonte një pacient

Prishtinë | 28 Shk 2021 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Një kirurg në Sakramento të Kalifornisë i është bashkuar një seance gjyqësore përmes Zoom-it, derisa vetë ishte në sallë, duke operuar një pacient.

Doktori Scott Green ishte i veshur me veshje kirurgjike në momentin që u paraqit në Zoom, në gjykimin virtual të enjten.

I pyetur nga gjyqtari i rastit, Green tha se mund të vazhdonte ashtu dhe se atë po e priste edhe një operacion tjetër më pas, raporton BBC. Mirëpo gjyqtari vlerësoi se paraqitja e tij nga salla e operacionit nuk është e përshtatshme, duke e shtyrë kështu gjykimin.

Bordi Mjekësor i Kalifornisë ka deklaruar përmes një komunikate për media se do të merrej me rastin, duke shtuar se “pret që mjekët të ndjekin standardet e kujdesit derisa i trajtojnë pacientët e tyre”.

Para se të niste gjykimi i cili po transmetohej direkt në YouTube, një nëpunës i gjykatës e kishte pyetur kirurgun plastik nëse ishte i gatshëm për gjykimin dhe ai ishte përgjigjur se ishte i gatshëm dhe se gjithçka mund të vazhdonte.

Mirëpo, pavarësisht se doktori Green kishte bërë me dije se kishte edhe një kirurg tjetër që po i ndihmonte me operacionin dhe se mund të vazhdonte, gjyqtari i rastit ripërsëriti se kjo do të ishte e papërshtatshme dhe e dëmshme për sigurinë e pacientit.

Të ngjashme