Klinika e Kardiologjisë furnizohet me 25 stenta, brenda 10 ditësh arrijnë edhe 140

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 16:25 | Nga

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një numër i konsiderueshëm i pacientëve janë duke pritur për intervenime në zemër. Madje deri para disa muajve lista e pritjes së tyre për stentime dhe koronarografi ka zgjatur deri në një vit. Por, siç duket, pritjet e pacientëve që kanë pësuar infarkt e që kanë nevojë për stentа tash e tutje nuk do të jenë të gjata. Kjo ngase Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive kanë nisur trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës.

Rreth 350 kosovarë janë të evidentuar në listat e pritjes së QKUK’së për intervenim me stentë në zemër. Kjo listë është më e vogël se sa ajo që ka qenë gjatë fillimit të këtij viti. Kështu i ka thënë Express’it, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi.  Ai ka sqaruar se lista e pritjes për stentime dhe koronarografi brenda pak muajve do të zhduket plotësisht dhe pacientët më nuk do të presin në lista për kryerjen e këtyre shërbimeve.

“Listë të pritjes kemi , është shumë më e vogël se përpara. Nga mbi 1 mijë tani veç e kemi ulë  në më pak se 350 persona. Shpresojmë që shumë shpejtë edhe këtë numër do ta zbusim deri ta caktojmë koronarografinë atëherë kur duhet dhe që mos të kemi listë të pritjes. Për tre katër muaj besojmë që  për koronarografi më nuk do të kemi listë të pritjes”, thotë Bekteshi.

Por, puna për vendosjen e stentave në zemër nuk po zhvillohet normalisht në klinikën e Kardiokirurgjisë. Aty, sipas zyrtarëve shëndetësor kanë filluar që të vërehen mungesat e stentave.

“Për stentim, momentalisht e kemi ndalë stentimin elektiv do të thotë  të selektume. Për arsye se nuk kemi kontingjent të mjaftueshëm të stentave për infarkt akut. Shumë shpejtë presim që të furnizohemi. Infarkti akut, ne e kemi kontingjentin bazik, por ne presim që brenda një kohe shumë të shkurtë që të furnizohemi plotësisht dhe të vazhdojmë me krejt kapacitetin”, thotë Bekteshi.

E sipas tij, janë rreth 50 pacientë të cilët për momentin janë raste më emergjente për këtë lloj stentimi.

“Janë diku rreth 50 pacientë që janë duke pritur për stentim. Ata duhet të presin se thjeshtë nuk mund të rrezikojmë që të presin rastet akute në pamundësi për intervenim.Tenderi për këtë punë ka kalu dhe shpresojë që shumë shpejtë do të kemi furnizim adekuat”, ka sqaruar për Express, Tefik Bekteshi.

Por rreth kësaj problematike, na Ministria e Shëndetësisë kanë sqaruar se gjatë ditës së djeshme (mërkurë), në Kardiologji invazive ka shkuar  kontigjenti i parë me 25 stenta, ndërsa brenda 10 ditësh pritet të arrijnë edhe 140 stenta të tjera.

“Brenda këtij muajit do të vij edhe një kontigjent tjetër prej 160 stentave të tjera, varësisht nevojave dhe dimenzioneve të kërkuara, sepse janë nënshkruar edhe urdhër-blerjet ashtu që operatorët t’i kryejnë furnizimet e nevojshme”, kanë sqaruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSH të gjitha këto furnizime janë në kuadër të kontratës të nënshkruar e cila parasheh furnizimin me 2 mijë stenta të QKUK-së, sipas porosive dhe nevojave të qendrës.

Ndërkohë tutje nga ky institucion shëndetësor deklarojnë se më nuk do të ketë vonesa për stenta.

“Tash e tutje, nuk do të ketë më vonesa në furnizime me stenta, edhe për shkak të futjes në funksion të sistemit të ri për menaxhimin e kontratave për barna dhe material shpenzues, i cili do të sinjalizojë 4 muaj më herët për skadimin e kontratës, duke dhënë mundësinë për zhvillim me kohë të procedurave për kontratat e reja”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme