Liverpool duket se është gati të paguajë 150 milionë euro (100 milionë direkt dhe 50 milionë të tjera në formë variablash) për të siguruar shërbimet e Ousmane Dembele. Jurgen Klopp ia ka vënë syrin francezit të Barcelonës dhe e do në “Anfield”. Kështu bën me dije “Don Balon” në Spanjë. Trajneri gjerman i kampionëve të Europës e sheh francezin si një zëvendësim të mundshëm për Sadio Mane, ose Mohamed Salah, nëse ata largohen.
Barcelona i ka vendosur një çmim stratosferik yllit të vet, që e bleu shumë shtrenjtë te Borussia Dortmund, megjithatë thuhet se “Reds” janë të gatshëm ta përballojnë atë. Ky operacion merkatoje do të ishte një llojë “hakmarrjeje” e Liverpool ndaj klubit katalanas për Philippe Coutinho. Ky i fundit u largua nga të kuqtë janarin e vitit të kaluar, por nuk ka qenë në gjendje të bindë e të përshtatet në “Camp Nou”. Është hedhur edhe ideja e rikthimit të brazilianit në “Anfield”, por Klopp beson se ai nuk i përshtatet më lojës dhe sistemit të të tijve.
Përveç kësaj, “Reds” nuk duan të merren më me një lojtar, që u largua nga “dera e pasme” dhe performanca e tij ka pasur rënie. Ai, me të cilin ka rënë në “dashuri” trajneri gjerman, është Ousmane Dembélé. Klopp e zbuloi francezin te Borussia Dortmund, ish-ekipi i tij. Ai beson se kampioni i botës në vitin 2018 është një lojtar, që përshtatet me planet taktike te Liverpool dhe mund të shpërthejë nën urdhrat e tij.