Liverpooli mund të ketë përfituar një dëmshpërblim të majmë, por largimi i Philippe Coutinhos ka lënë një zbrazëtirë të madhe në repartin e mesfushës.
Megjithatë, Juergen Klopp është i njohur si trajner që nuk dorëzohet, pavarësisht largimeve. Në të vërtetë, ai nuk bën përpjekje asnjëherë për të ndalur yjtë e ekipit, transmeton Koha Ditore.
Kështu që, Klopp në një situatë të ngjashme ka qenë edhe më parë. Pas largimit të Coutinhos te Barcelona për 160 milionë euro, Klopp ka thënë se ishte e pamundur t’i pengohet mesfushorit një transferim i tillë.
“Ishte ëndrra e Coutinhos të luante te Barcelona dhe në momentin që e kam kuptuar, as që kam tentuar për ta bindur të mbetet te Liverpooli”, ka deklaruar Klopp.
Shumica e ekspertëve të Premier Leagues kanë mbetur të shtangur me deklaratën e Kloppit. Ata nuk po arrijnë të kuptojnë se si trajneri gjerman është dorëzuar kaq lehtë apo nuk ka bërë as tentimin më të vogël për ta mbajtur Coutinhon në ekip.
Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk e di se Klopp për situata të tilla është përgatitur gjatë kohës sa ishte në krye të Borussia Dortmundi.
Tek ekipi gjerman ai është përballur me realitetin – largimin e yjve – për shkak se Dortmundi shpesh shihet si furnizues i Bayern Muenchenit, por edhe i ekipeve të mëdha të Evropës.