Klubet kosovare nga sporte të ndryshme kanë shprehur ngushëllime pas vdekjes së Fadil Vokrrit.
Fadil Vokrri, emri që tregon më së miri për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, vdekur para kohe, sot në moshën 57- vjeçare, lajm që ka shokuar të gjithë.
KB Bashkimi: “Legjendë, të jemi mirënjohës deri në amshim për arritjet sportive. Do t’i mungosh shumë Kosovës!”
FC Prishtina: “Lajm i hidhur për të gjithë sportdashësit në Kosovë e më gjerë. Sot ka ndërruar jetë futbollisti më i mirë që ka pasur Prishtina, Fadil Vokrri! Futbollisti me të cilën Prishtina kishte zgjeruar famën përtej kufijve të Kosovës. Futbollisti me të cilin mbarë adhuruesit e futbollit shqiptar në ish-Jugosllavi me mburrje do të kujtojnë çdo moment të hapit të tij”.
“Fadil Vokrri, pjesë e skuadrës së Prishtinës së viteve 80-ta, drejtor i klubit gjatë kohës së tranzicionit të statusit të klubit në vitin 2004-2006, dhe tani kryetar i Federatës së futbollit në kohën e pranimit ndërkombëtar, do të kujtohet deri në përjetësi!”.
“Bordi i aksionarëve të FC Prishtina, futbollistët e FC Prishtina, të gjithë punonjësit e klubit, shprehin ngushëllimet më të përzemërta familjes Vokrri!”, shkruan klubi kryeqytetas në rrjetet sociale.
KF BESA: “KF Besa shpreh ngushëllimet më të sinqerta miqve, shokëve dhe familjarëve të legjendës Vokrri. U prefsh në paqe kryetar”.
FC DRITA: “E nderuara familje Vokrri! E nderuara Federatë e Futbollit të Kosovës! Me pikëllim e dhimbje të madhe morëm lajmin për vdekjen e z. Fadil Vokrrit. Ky lajm i kobshëm ka tronditur opinionin e gjerë sportiv”.
“Konsiderojmë se kontributi i Fadilit për sportin e Kosovës është i jashtëzakonshëm, do të jemi gjithmonë krenar që patëm rastin ta njohim dhe vlerësojmë për punën e palodhshme në ndërkombëtarizimin e futbollit tonë”.
“Ne shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë shqiptarëve! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës! Lamtumirë LEGJENDË!”, shkruan Drita në Facebook.
KF Vëllaznimi: “Me rastin e vdekjes së Kryetarit të Federates e Furbollit të Kosovës, FADIL VOKRRI, Klubi i Futbollit “Vëllaznimi” i Gjakovës u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes të të ndjerit Fadil Vokrri, Federates së Futbollit dhe të gjithë sportdashësve. Me vdekjen e Fadil Vokrrit, familja Vokrri ka humbur kryefamiljarin e vetë, Federata e Futbollit njërin prej shtyllave të veta të rëndësishme, ndërsa sporti një ikonë e futbollit Kosovar”.
KF LLAPI: “Legjend erdhe, Legjend shkove! Erdhe si dhuratë nga Zoti për Kombin Shqiptar, na bëri krenar si futbollistë, na bëri krenar si President i FFK-së, na bëri krenar si njeri familjar. Ngushëllime Familjarëve, FFK-s, Miqëve Ndërkombëtarë dhe gjithë Kombit Shqiptarë. Shkove mirëpo veprat e tua do të jetojnë sa të ekzistoj njerëzimi. U prefsh në paqe o inspirimi dhe vetëhistoria e Kombit Shqiptarë FADIL VOKRRI”, shkruan Llapi.
FC LIRIA: “Të nderuar familjarë, Bord Ekzekutiv i FFK, Miq,sportistë e shokë të të ndjerit Fadil Vokrri. Më lejoni që në emrin tim , të KF Liria dhe adhuruesve të saj, të shpreh ngushëllimet më të thella me rastin e ndarjes nga jeta, të kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri”.
“Lajmi për ndarjen para kohe nga jeta të kryetarit Vokrri, ka pikëlluar jo vetëm KF Liria, por dhe qytetin e Prizrenit e më gjerë. Ikja para kohe e legjendës së futbollit, ka lënduar zemrat e adhuruesve të lojës së futbollit, sportistëve në përgjithësi dhe në veqanti ka lënduar thellë zemrat e gjithë neve që e njohëm, punuam me te, dhe kishim e do të kemi kujtime të pa shlyera ndër jetë.U prefshë në paqe kryetar. Me pikëllim! KF Liria, Qemal Krasniqi, kryetar”.