KMDLNj: Ekstradimi i 6 turqve e vulos Kosovën shkelëse të të drejtave të njeriut

Prishtinë | 30 Mar 2018 | 13:17 | Nga

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një reagimi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ekstradimin e gjashtë turqve, të kërkuar nga Ankaraja si puçistë, e ka cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut dhe që Kosovën e rendit si vendin më antidemokratik në botë.

Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet:

Dje, disa individë të papërgjegjshëm , duke kidnapuar gjashtë (6) shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë , të gjithë intelektualë të nivelit të lartë , pa të kaluar kriminale , e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë , si shkelësen më të madhe të të drejtave të njeriut , si zbatuesin besnik të urdhrave të një autokrati dhe shkelësi të madh të drejtave të njeriut në Turqi dhe si vendin që i ekstradoi të arrestuarit , pa përfillur as ligjet e veta e lëre më konventat ndërkombëtare që merren me të drejtat e personave që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të represionit politik , ku nuk mund të kenë as trajtim sipas ligjit por as gjykim të drejtë.

KMDLNj me të siguruar informatën për kidnapim ka reaguar menjëherë , duke ua bërë me dije përgjegjësve se , nëse ekstradohen pa përfillur ligjin dhe procedurën e cila parasheh mundësi ankimimi për të arrestuarit dhe ku janë afatet kohore të përcaktuara për procesin e ekstradimit , do të bëjnë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe se do ta shkelin edhe Kushtetutën e vendit. Se ky ka qenë kidnapim e jo arrestim tregon fakti se ata janë arrestuar pa një vendim të gjykatës apo se ky vendim , edhe nëse ka ekzistuar nuk i është treguar , as të arrestuarit e as familjarëve sikur që nuk është treguar vendndodhja e tyre duke ua mohuar të drejtën elementare të personave të privuar nga liria , të drejtën e komunikimit me mbrojtës që i zgjedhin vet apo që janë caktuar sipas detyrës zyrtare. Realisht , KMDLNj as që ka besuar se procesi i ekstradimit , duke i shkelur të gjitha ligjet e vendit dhe dokumentet ndërkombëtare do të kriminalizohet deri në atë masë sa që , që nga momenti i kidnapimit e deri te ekstradimi , nuk kanë kaluar as katër ( 4 ) orë të plota.

Në praktikat ndërkombëtare , edhe në vendet më totalitare , nuk është regjistruar ndonjë rast që dikush që ka qenë në rregull me gjithë dokumentacionin e nevojshëm të trajtohet sikur të ishte krimineli më i madh dhe të ekstradohet në afate rekorde. Edhe bosët më të mëdhenj të drogë si Noriega , Eskobari , Al Kapone , Provencano , Vito Gjenoveze dhe të tjerët janë trajtuar më njerëzisht se turqit e kidnapuar duke ua dhënë të gjitha mundësitë e mbrojtjes dhe ankimimit , si të drejta të parjetërsueshme të njeriut . Mos të flasim për të dyshuarit për krime lufte që janë arrestuar dhe trajtuar si të ishin yje filmash. Kidnapimi dhe ekstradimi është bërë nga një grup i vogël personash , nga politikanë të pushtetshëm , miq të Erdoganit dhe këtyre që e zbatuan vendimin politik e që duhet të konsiderohen si viktima , që duke bërë përpjekje ta ruajnë postin e që nuk e ruajtën, zbatuan një vendim politik kriminal që i kushtoi me rrezikim të jetës të kidnapuarve e që do t’i kushtoi edhe më shumë Kosovës.

Kryministri i Kosovës sikur edhe kryekuvendari deklaruan se as që kanë qenë të informuar për këtë kidnapim kriminal , dhe mund të jetë edhe ashtu kurse , për habi , presidenti u deklarua i fundit se as ai nuk paska qenë i informuar që është vështirë t’i besohet aq më parë që porositësi i këtij krimi , Erdogan , presidentin Thaçi e ka quajtur vëlla dhe mund të ketë qenë marrëveshje midis vëllezërve. Kushdo që të ketë qenë , urdhërues apo zbatues , i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës. Ai që ka urdhëruar politikisht , duket se po mbeter i palagur , sikur Krishti , ndërsa këta që po shkojnë të shkarkuar , po e bartin tërë përgjegjësinë e që nuk është e vërtetë. Prandaj , KMDLNj kërkon të bëhen hetime të tërë këtij procesi dhe të përcaktohet përgjegjësia konkrete dhe të mos mbyllet me dy shkarkime të cilat nuk janë aspak të rëndësishme . Hipotetikisht , edhe nëse këta kanë mëshehur informatat nga kryeministri dhe kryekuvendari , është e pabesueshme , edhe si hipotezë se askush nuk ka qenë i informuar për këtë krim ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut. Është e pamoralshme dhe e padrejtë që shkarkimi i ministrit Sefaj dhe shefit të AKI –së , Gashi të ndërlidhet me kërkesën e Listës Serbe për shkarkimin e tyre , si njëri nga kushtet për kthim në qeveri. Arrestimin në Mitrovicë e kanë bërë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë shumë profesionale , hiç trajtimin poshtërues në Prishtinë , kurse kidnapimin në Prishtinë të gylenistëve e kanë bërë duke e dhunuar ligjin dhe në mënyrë kriminale. Edhe në rastin e parë , “ Gjuriq “ , ka qenë një vendim politik sikur edhe në rastin e dytë “ gylenistët “ .

Në vend se të merremi me akuzat e Rikallos dhe Jeftiqit kundër Policisë së Kosovës duhet të pyeten këta dy ministra se çka kërkuan , si ministra të qeverisë së Kosovës të marrin pjesë në një tubim ilegal kundër Kosovës dhe interesit të saj. Për intervenim në Mitrovicë duhen të shpërblehen kurse për kidnapim në Prishtinë duhet t’i nënshtrohen edhe përgjegjësisë penale. Sidomos ai që e përgatiti këtë krim , ai që e planifikoi e sidomos ai që e urdhëroi . Edhe ata që nuk e penguan. Sipas kësaj logjike , nëse Serbia e kërkon nesër ekstradimin e Hashim Thaçit , Kadrisë , Ramushit , Fatmirit , a duhet të ekstradohen ?! Kosova dhe udhëheqësit e saj duhet ta raujnë neutralitetin në luftën midis Erdoganit dhe Gylenit dhe të sillen në përputhje me ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare që i rregullojnë çështjet e atyre që , për shkak të kundërshtimit politik detyrohen të kërkojnë strehim në një vend tjetër. Amerika , si superfuqi numër një në botë , nuk po e ekstradon Gylenin përkundër kërkesave të përditshme të Erdoganit kurse Kosova , si një vend që ende vuan pasojat e refugjatit politik , po i kthen të rrezikuarit në Turqi.

Çfarë paradoksi !!! Situatën e bënë edhe më të rëndë fakti se shumë qytetarë të Kosovës , për shkak të represionit politik dhe etnik që ua bënte regjimi kriminal i Serbisë , kanë kërkuar dhe fituar strehim politik në shtetet evropiane. Paradoksalisht , këta që e inskenuan kidnapimin e pastaj edhe ekstradimin në kohë rekorde , apo edhe këta që nuk e penguan kërë veprim kriminal , edhe vet kanë qenë të strehuar në vendet evropiane shkaku se e kanë kundërshtuar regjimin e Titos , Rankoviqit dhe të Millosheviqit sikur që “ gylenistët “ e kanë kundërshtuar dhe po e kundërshtojnë Erdoganin . Dikur Serbia këta udhëheqës aktualë i quante terroristë sikur që Erdogani i quan terroristë këta që vazalët e tij në Kosovë i kidnapuan dje dhe i ekstraduan.

KMDLNj nuk pajtohet me përcaktimin e përgjegjësisë vetëm në këtë nivel sepse këta nuk kanë qenë e as që janë lojtarët kryesorë por se i kanë sakrifikuar për të shpëtuar të Madhin apo të Mëdhenjtë , pionë të pamoralshëm të Erdoganit.

KMDLNj gjithashtu ka frikë se ky është vetëm harku i parë i spirales së dhunës dhe se këto akrobacione po bëhen për ta mbuluar një rast me një tjetër dhe për ta zhvendosur përqëndrimin ndaj një të keqeje të madhe që po i përgatitet Kosovës.

I mbetet përgjegjësve t’i vazhdojnë hetimet për ta siguruar përgjegjësinë dhe përgjegjësin apo përgjegjësit që tash , duke menduar se shpëtuan veten me shkarkimin e ministrit Sefaj dhe Gashi , do të vazhdojnë të tallen me Kosovën dhe qytetarët e saj , për interes personale dhe bosëve të tyre jashtë Kosovës!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme