Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media, ka thënë se Gjykata Speciale nuk po garanton gjykim të drejtë dhe të paanshëm për ish-ushtarët e UÇK ’së.
KMDLNJ kërkon që të akuzuarit nga Gjykata Speciale e që janë të paraburgosur të trajtohen në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe në përputhje me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Kosovës për faktin se është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës .
Po ashtu, KMDLNj kërkon të respektohet e drejta e përdorimit të gjuhëve zyrtare, në përputhje të plotë me Ligjin për Përdorim të gjuhëve në Kosovë.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Në Gjykatën Speciale në Hagë aktualisht mbahen në paraburgim , si të akuzuar shtatë ( 7 ) shtetas të Kosovës , ish – udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ish – themelues dhe ish- udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës : Jakup Krasniqi , Hashim Thaçi , Kadri Veseli , Rexhep Selimi , Sali Mustafa , Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj . Ndaj të gjithëve është ngritur dhe konfirmuar aktakuza dhe që të gjithëve , me arsyetim stereotip u është refuzuar kërkesa për mbrojtje në liri. Arsyetimi për refuzim për mbrojtje në liri është i njëjtë për të gjithë të akuzuarit , pavarësisht për natyrën dhe peshën e veprës për të cilën akuzohen.
KMDLNj , që nga fillimi ka reaguar për shkeljen e të drejtave të njeriut të të akuzuarve siç është diskriminimi në përkthimin e materialeve e që e vështirëson pregatitjen e mbrojtjes efektive dhe bashkëpunimit mbrojtës – i akuzuar. Materialet që iu janë dorëzuar të akuzuarve janë përkthyer vetëm pjesërisht ndërsa Gjykata Speciale deklaron vazhdimisht se materialet po përkthehen . Ende , në disa raste , të akuzuarve nuk iu është dorëzuar arsyetimi i plotë i aktakuzës në gjuhën shqipe dhe për këtë nuk kemi asnjë reagim nga i ashtuquajturi Ombudsperson i kësaj Gjykate që ka mandat të mbrojë të drejtat e të akuzuarve . Me Deklaraten Universale për të Drejtat e Njeriut , me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut , me Rregullat Europiane të Burgjeve si dhe me Kushtetutën e Kosovës garantohet një gjykim i drejtë , i pandikuar politikisht dhe i paanshëm duke siguruar të gjitha kushtet për mbrojtje efektive të të akuzuarve e që në rastin konkret keni shkelje të të gjitha këtyre dokumenteve ndërkombëtare si dhe të Kushtetutës së Kosovës , aq më parë që themelues i kësaj Gjykate Speciale është Kuvendi i Kosovës dhe thuhet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Prandaj , duhet ta respektojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare e që qartazi nuk e bënë apo e bënë vetëm pjesërisht dhe për nevoja të Prokurorisë apo Gjykatës , në dëm të të akuzuarve dhe mbrojtjes.
Kryeprokurori i Gjykatës Speciale , në disa raste e ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar se të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm e që paraqet trysni te Gjykata që të mos marrë vendim për mbrojtje në liri për asnjë të akuzuar e që paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut , për të akuzuarit . Në fakt , kjo mund të llogaritet si trysni për trupin gjykues duke i konsideruar fajtorë të akuzuarit , ende pa fillur gjykimi. Kjo është e patolerueshme dhe , deri sot nuk pati asnjë reagim , as nga institucionet brenda kësaj gjykate e as nga ato kosovare. Reagimi nuk nënkupton që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm pa kalur një procedurë gjyqësore por se duhet të kërkohet qartazi që të mbrohet parimi i prezumimit të pafajësisë , deri në një vendim të gjykatës kompetente të formës së prerë.
Shkeljeve të drejtave të njeriut të personave të akuzuar po i kontribuon edhe kryetarja e kësaj gjykate , Ekaterina Trandafilova e cila , në çdo paraqitje po i demonizon të akuzuarit duke deklaruar se duan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale edhe si të paraburgosur që janë e që është nonsens dhe ndërhyrje flagrante kundër të akuzuarve. Në fund të fundit , nëse Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës , sipas të së njëjtës procedurë mund edhe të shfuqizohet.
Kundër të drejtave të njeriut të të akuzuarve nga Prokuroria Speciale në Hagë janë bërë bashkë Kryeprokuroi i kësaj Gjykate dhe gjykatësi i procedurës paraprake që duan një gjykim të shpejtë ndonëse këtë po e kundërshtojnë , edhe të akuzuarit si dhe mbrojtësitë e tyre. Prokuroria dhe Gjykata Speciale nuk po ua dorëzojnë materialet dhe dëshmitë apo po ua dorëzojnë vetëm pjesërisht mbrojtësve dhe , në këtë mënyrë po e pamundësojnë mbrojtjen efektive . Nëse Prokurorisë Speciale iu janë dashur më shumë se pesë vite për hetime dhe ngritje të aktakuzës , si mund atëherë mbrojtja të pregatisë një mbrojtje efektive për një kohë aq të shkurtër , sa propozon Prokuroria Speciale dhe Gjykata ? Kjo qartazi tregon se nuk ka gatishmëri e as vullnet që të sigurohen kushtet për një gjykim të drejtë , të paanshëm dhe të pandikuar politikisht.
Në kuadër të mandatit , KMDLNj monitoron të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria e që janë nën jurisdikcionin e Kosovës kure , me një Marrëveshje të nënshkruar me Ministrinë e Drejtësisë i shtohen kompetencat që të vizitohen personat e privuar nga liria , shtetas të Kosovës që janë në institucionet përkatëse në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri si dhe në Gjykatën Speciale në Hagë.
KMDLNj bashkëpunon me Prokurorinë Speciale të Kosovës për rastet e dyshuara si krime lufte sikur edhe me viktimat që kanë pësuar gjatë dhe pas luftës , me familjet e tyre si dhe me avokatët mbrojtës.
KMDLNj , në bazë të kërkesës ofron materiale për mbrojtësit e të akuzuarve e që trajtohen nga Gjykata Speciale , familjet e tyre si dhe të ftuarit nga kjo Gjykatë , qoftë si të dyshuar apo si dëshmitarë.
KMDLNj –së i janë drejtuar edhe familjarë , avokatë si dhe vet dëshmitarë të mbrojtur dhe , KMDLNj ofron materiale , pa bërë asnjë diskriminim dhe duke e ruajtur konfidencialitetin , që edhe e obligon mandati dhe etika profesionale.
KMDLNJ kërkon që të akuzuarit nga Gjykata Speciale e që janë të paraburgosur të trajtohen në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria , në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe në përputhje me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Kosovës për faktin se është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës .
KMDLNj kërkon të respektohet e drejta e përdorimit të gjuhëve zyrtare, në përputhje të plotë me Ligjin për Pëdorim të gjuhëve në Kosovë.
KMDLNj kërkon që të përfillet kërkesa e të akuzuarve si dhe avokatëve mbrojës që të furnizohen me kohë nga Prokuroriadhe Gjykata me materiale që u ndihmojnë në pregatitjen efektive të mbrojtjes sikur që të kenë kohë të mjaftueshme për organizimin e mbrojtjes. Gjykimi i përshpejtuar mund të zbatohet vetëm me pëlqimin dhe marrëveshjen e të akuzuarve me Prokurorinë dhe Gjykatën .
KMDLNj thërret Prokurorinë , Gjykatën dhe veçanërisht kryetaren e Gjykatës të mos e shkelin parimin e prezumimit të pafajësisë , në të kundërtën do të konsiderohet si ndërhyrje flagrante në punën dhe pavarësinë e Gjykatës e që , seriozisht e vë në dyshim të drejtën e të akuzuarve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
KMDLNj kërkon nga të gjitha palët që të rezervohen nga çdo deklaratë që ua shkel të drejtat e njeriut personave të privuar nga liria e që mund të ndikojnë në vendimin e Gjykatës , e cila , ka përgjegjësi të plotë që , pas provave të proceduara të marrë një vendim , lirues apo fajësues. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e Gjykatës kompetente !