KMDLNj kërkon përgjegjësi për vdekjen e të burgosurve

Prishtinë | 24 Shk 2017 | 11:44 | Nga

Nëse vdes një i burgosur që ka pasur diagnozë të sëmundjes së pashërueshme e që e ka vuajtur mbi 70-80 % të dënimit, atehërë dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë vdekje, për këtë mohim të së drejtës për shërim profesional si dhe për mohim të së drejtës që çastet e fundit të jetës t’i kalojë pranë familjes.

Këtë përgjegjësi e ka kërkuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, pas vdekjes së të burgosurit B.Th në spitalin rajonal të Pejës.

“Është një rregull i pashkruar që çdo vdekje në burg qoftë edhe në rrethana të një vdekjeje normale, nxit dyshime te familja dhe opinioni. Për veprën e kryer, dënimin e cakton gjykata kompetente kurse për falje të të dënuarve në rrethana të zakonshme dhe të jashtëzakonshme janë përgjegjëse institucionet tjera e që sipas KMDLNJ-së nuk po e kryejnë punën si duhet. Të dënuarit janë të privuar nga disa të drejta ligjore por jo edhe nga të drejtat e njeriut”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga KMDLNj.

Kjo organizatë bënë me dije se i ka identifikuar edhe disa raste të tjera të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të burgosurve që mund të përfundojnë me fatalitet nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për shërimin e tyre duke ua siguruar terapinë e kushtueshme e që Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve nuk e ka, qoftë përmes pezullimit të dënimit apo edhe lirimit të parakohshëm.

“Numri i të vdekurve në burgjet e Kosovës vetëm sa do të rritet kurse të gjithë akterët që merren me personat e privuar nga liria do të merren vetëm me pasoja në vend se t’i parandalojnë ato pasoja”, thuhet në komunikatë.

Për shkak të problemeve dhe dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sipas KMDLNj-së, shërbimi shëndetësor i burgjeve ka shënuar një prapakthim ndërsa ata punëtorë shëndetësorë që janë angazhuar rishtazi kanë hezituar t’i marrin parasysh këto rekomandime për pezullim të dënimit apo lirim të parakohshëm në raste të sëmundjeve të pashërueshme.

“Për këtë arsye kemi rritje të burgosurve që vdesin në ambientin e burgut e që nuk do të duhej të ishin aty”, është konkludimi i KMDLNj-së.

Vetëm gjatë vitit 2016 janë shënuar 4 raste të vdekjeve në burgjet e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme