Këshilli Për Mbrojtjen e Të Drejtave e të Lirive të Njeriut përmes një njoftimi kërkon të shkarkohet ministri për Punë të Jashtme, Behgjet Pacolli, siç e kanë quajtur KMDLNj, për fyerje raciste dhe gjuhë seksiste.
Ky është reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Ministri për Punë të Jashtme i Kosovës z. Behgjet Pacolli i cili njëkohësisht është zv kryeministër i parë, President i AKR – së dhe së fundi edhe anëtarë i Ekipit Negociator të Kosovës, gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës përdori një gjuhë që përmbanë urrejtje në baza racore sikur edhe shprehje tipike seksiste në përpjekje për ta arsyetuar dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL e cila njëkohësisht ishte përpjekje t’i shmanget përgjegjësisë për këtë dështim ndonëse kishte autorizim të plotë dhe përgjegjësi, si në planin diplomatik ashtu edhe në resurse materiale.
Shprehjet e z. Pacolli para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme si: “Serbia ka angazhuar 10 vajza të bukura, të veshura mirë të cilat kanë shkuar në tavolinë duke i përqafuar (zezakë!!!) dhe duke ua lënë një zarf në tavolinë…”.
Ky deklarimi z. Pacolli para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme përbënë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut duke fyer në baza ekskluzivisht raciste ( zezakë!!!) përfaqësues të shteteve, anëtarë të INTERPOL – it, me të drejtë vote.
Referimi i z. Pacolli, jo si anëtarë të delegacionit apo përfaqësues të shteteve por thjeshtë si (zezakë!!!) e bënë të padenjë për të ushtruar detyrën e ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësim në çfarëdo cilësie në emër të Kosovës. Kualifikimi racist që ua bënë z. Pacolli përfaqësuesve të shteteve e renditë Kosovën padrejtësisht në vendet që nuk manifestojnë tolerancë ndaj atyre që dallohen nga ngjyra, që i përkasin racës tjetër apo besimit fetar , gjithashtu tjetër. Vënia në lojë e 10 femrave të bukura dhe të veshura mirë është fyerje për femrat për faktin se ato i kualifikon si të pamoralshme.
Qeveria e Kosovës duhet ta thërrasë urgjentisht në përgjegjësi z. Pacolli, ta shkarkojë atë për fjalorin denigrues, fyes, racist dhe seksist me të cilin bënë përpjekje ta arsyetojë mospunën, mungesën e kompetencës, mungesën e përgjegjësisë, si në planin lobues, ashtu dhe në atë përfaqësues duke e dëmtuar shumë imazhin e Kosovës sikur edhe duke pamundësuar njohjet e reja për Kosovën apo duke inkurajuar shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta tërheqin këtë njohje.
Nëse Qeveria e Kosovës nuk merr masa konkrete ndaj z. Pacolli atëherë përgjegjësia nuk do të mbetet në adresën që i ka shkaktuar të gjitha këto probleme të z. Pacolli por do të përpjesëtohet të gjithë anëtarët e Qeverisë.
Kosova ka diplomatë që kanë integritet moral dhe profesional që në mënyrë dinjitoze t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe shtetit në planin ndërkombëtarë dhe ata e meritojnë t’u ipet kjo mundësi!
KMDLNj kërkon shkarkimin e z. Pacolli, pa vonesë sikur edhe marrja e tij në përgjegjësi për dëmet që ia ka shkaktuar vendit dhe vazhdon t’ia shkaktojë edhe tani duke e promovuar racizmin dhe seksizmin si vlerë komunikimi dhe standard i të drejtave të njeriut.