Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet “Forumi Intelektual”, me në krye Artan Nimanin

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 15:38 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicionit Aleanca për Ardhmërinë Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate për zgjedhjet e ardhshme parlamentare i është bashkuar sot Forumi Intelektual Europa 2030, që në krye ka Artan Nimanin, dikur pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ky koalicion do të garojë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, në një Listë Zgjedhore dhe se do të angazhohen për Shtetin e Kosovës.

“AAK, NISMA Socialdemokrate dhe Forumi Intelektual E-30 dakordohen që të punojnë së bashku për Shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të jenë të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, kjo në partneritet të përhershëm me aleatët strategjikë, SHBA dhe BE”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e konsideroi të rëndësishëm faktin që sot këtij koalicioni po i bashkohen intelektualë anë e kënd Kosovës.

Ai tha se me këtë nënshkrim të marrëveshjes, profesorë e ekspertë të shqetësuar me gjendjen aktuale në vend, vendosën që mos t’i kthejnë shpinën gjithë asaj që po ndodhë në Kosovë nga udhëheqja e qeverisë aktuale.

Limaj potencoi se ky koalicion do të jetë një alternativë serioze dhe e fuqishme të cilën po e presin qytetarët, për çka shtoi se po ndërtojnë një front në shërbim të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i “Forumit Intelektual Europa 2030”, Artan Nimani tha se qëllimi i bashkimit të këtij koalicioni është që edhe pjesa akademike e intelektuale të jetë aktive në jetën publike e politike.

Nimani theksoi se si forum janë organizuar me qëllimin për të shprehur qëndrimet, opinionet, mendimet, analizat e vlerësimet e tyre, duke shtuar se më këtë vendim do të mund t’i involvojnë edhe në jetën politike.

Artan Nimani ka qenë anëtar i Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. Ishte larguar nga kjo parti pasi ishte zgjedhur prorektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” më 10 qershor 2019.

Të ngjashme