Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pas një takimi të hënën në Tiranë, me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli deklaroi se konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe paprekshmëria e kufijve kushtetues është prioriteti i axhendës sonë të përbashkët.
Çdo përpjekje për të krijuar tensione false nacionaliste, tha Kodheli, do të përballet me vullnetin tonë të përbashkët, për të vijuar me procesin e integrimit euro-atlantik të gjithë rajonit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kodheli foli dhe për dyfishimin e numrit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ne vlerësojmë punën e jashtëzakonshme që personeli ushtarak i misionit më të gjatë të NATO-s, KFOR-i bën në Kosovë, tha ajo. “Prezenca e ushtarakëve shqiptarë atje do të dyfishohet dhe ne jemi në përfundim të procedurave ligjore për këtë shtesë personeli”.
Gjithashtu, dy homologët folën dhe për Planin e Bashkëpunimit për vitin 2017, me synim organizimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta. Kodheli tha se programet mësimore ushtarake të të gjitha niveleve, janë të hapura për personelin e FSK-së.
Ministri Demolli, nga ana e tij, përveç çështjeve të bashkëpunimit, foli dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe sidomos për ndalimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze. Demolli u shpreh për lirimin sa më parë të Haradinajt dhe rikthimin e tij në Kosovë.
Ministri foli dhe për procesin e transformimit të FSK-së, i cili sipas Demollit, duhet të zhvillohet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë. Po ashtu në takim u bisedua edhe për vizitën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, në Prishtinë, i cili siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes së Aleancës për sigurinë e paqes në Kosovë.